×
  • Lajme
  • Lajme

    Para Hotit, Rama thumbon sërish Albin Kurtin: E di si i bën ai llogaritë

    Reporteri
    02 Tetor 2020 | 14:03

    Nga konferenca për mediat pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, Kryeministri Edi Rama deklaroi se i vjen mirë që tabuja e Shengenit rajonal ka rënë.


    “Shengeni rajonal është projekti i fëmijëve tanë. Një projekt që asnjë burrë nuk mund ta marrë peng dhe nuk duhet ta vonojë asnjë. Do të shkojmë përpara deri në zhbërjen e plotë të kufirit”, u shpreh Rama.

    Më tej deklaroi se duhet të hapet hapësira mes vendeve dhe se Bashkimi Evropian nuk ka alternativë.

    Në këtë konferencë, Rama nuk la pa thumbuar as ish-Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    “Shpallja e luftë me Twitter dhe Instagram në emër të flamurit dhe Ismail Qemalit. Janë pjesë e një farse që ka të bëjë me fantazmat e të shkuarës kur problemet dhe hallet janë të tjera. Nuk i ngushëllojmë duke krijuar iluzione luftërash”, u shpreh Rama.

    Sipas tij Kosova nuk ia ka borxh asnjë politikani apo figure që shfrytëzon ato plagë që duhen kuruar, për t’i përdorur dhimbjen e plagëve në funksion të luftës së vetë politike.

    Në lidhje me reagimet e Kurtit, llogaritjet e liderit të VV-së ai i quajti si “vet-adminsitrim jugosllav”.

    “Mësimi nga marrëveshja e Uashingtonit është se ka shumë gjëra që duhet dhe do t’i kishim bërë vet nëse nuk do të ishim kaq kalamaj sa ç’kemi qenë kur vjen puna për të shpërdoruar besimin e atyre që na zgjedhin dhe për të shfrytëzuar hallet dhe mërzinë e tyre, që të hapim luftëra imagjinare që shkojnë deri në absurdin deri në hapjen e një lufte imagjinare me SHBA-të. Unë e di si i bën Albini llogaritë, dhe nga pikëpamja e llogarive është si vet-administrim jugosllav. Si mund të mos përfitojë ai që ka portin dhe që kryen gjithë atë volum tregtar importesh dhe eksportesh, dhe përfitoka më shumë një nga aktorët që do shfrytëzojë portin, këtë me siguri e gjen Albini, mirëpo këtë nuk e gjej unë vet dhe tek asnjë njeri që di dy gjëra nga ekonomia”, tha ai.

    Po ashtu deklaroi se pak javë do të vizitojë Kosovën me një “delegacion modest” për të firmosur marrëveshjen që e kalon doganën e Durrësit në një port të Kosovës.

    Lidhur me liberalizimin e vizave, Rama shtoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret e pret dhe merr refuzime nga BE pa pikën e turpit, për çështjet e tyre të brendshme.

    14 marrëveshjet e nënshkruara

    Marrëveshje për Zbatimin e Lehtësirave të Ndërsjella në Procedurat Doganore të Kontrollit të Hyrje-Daljeve së Mallrave.

    – Bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor

    – Krijimi i fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës

    – Bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjelltë në raste fatkeqësish Natyrore dhe fatkeqësive të tjera

    – Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë

    – Marrëveshje për shmangien e Tatimit të dyfishtë mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin si dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal

    – Marrëveshje bashkëpunimi mes MF dhe Ministrise së Ekonomisë dhe Punësimit

    – Krijimi i Korridorit Digjital 5G

    – Themelimi i Ligës së Përbashkët të Basketbollit

    – Platformë e përbashkët digjitale të Arsimit parauniversitar

    – Kalendar i Përbashkët Kulturor vjetor

    – Marrëveshje për bashkëprodhim të Filmit

    – Memorandum bashkëpunimi mes Ministrive të Kulturës

    – Marrëveshje për përballimin e Covid 19

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!