Para se t’ia shtrijë dorën Albin Kurtit, Vjosa Osmani shkon në Amerikë

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë ditës së hënë priti mysafirë të huaj në selinë e partisë. Por, krah tij nuk u pa Vjosa Osmani. Mungesa e saj në këto takime ka një arsye.


Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja ka shkuar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga kjo parti po thonë se vizita e saj atje nuk ka të bëjë me zhvillimet politike në vend, transmeton Reporteri.net.

Sidoqoftë, ka qenë Vjosa Osmani që në disa paraqitje ka thënë se qeverisja e saj do të jetë në bashkërendim me qëndrimet amerikane.

Sot, ndërkaq, ajo ka publikuar një fotografi dhe ka thënë se ndjeu kënaqësi nga takimi drejtori për Evropën në Këshillin për Siguri Kombëtare të SHBA.

Osmani, me anë të një postimi në Facebook, bëri të ditur se aty është pritur nga John Erath, që është Drejtor për Europë në Shtëpinë e Bardhë.

“Kënaqësi të pritem sot në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nga z.John Erath, Drejtor për Evropë”, tha Osmani.

Ndryshe, bisedimet për koalicion mes LDK-së e VV-së, akoma nuk janë në një fazë intensive dhe disa zyrtarë të partive, sidomos të LDK-së, po dalin hapur duke thumbuar partnerin potencial./Reporteri.net