Drejtori i Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës, Selajdin Beqa nuk po e fsheh se është përkrahës i Vetëvendosjes. Ai së fundmi është shfaqur publikisht në një fotografi me dy deputetët e kësaj partie, Mefail Bajqinovci e Valon Ramadani të cilët kanë nisur parafushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit me mërgimtarët në Gjermani.
Përveç për Beqën që si drejtues i një agjencie të pavarur shtetërore, fotografimin me zyrtarë të pushtetit nuk po e ka fare problem, as për deputetët e partisë së kryeministrit Albin Kurti, nuk përbën kurrfarë telashe shoqërimi buzagaz me një person që ka probleme me ligjin.
Drejtori i përgjithshëm i AKA ka aktakuzë nga Prokuroria për shkak se dyshohet se kishte sulmuar kolegun e tij të punës.
Fotografia është publikuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, me mbishkrimin “Tek familjarët e mi në Leverkusen”.
Beqa, që po del i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë do të duhej të pezullohej nga puna në momentin që i ishte ngritur aktakuza, por siç është raportuar në medie, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, në kundërshtim me ligjin, jo vetëm që nuk e kishte pezulluar, por Beqa, pas rrahjes së kolegut, ishte ngritur në detyrë nga u.d i Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtor të Përgjithshëm.
Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, Neni 69 “Pezullimi sipas Detyrës Zyrtare”, pika 1.5., “nëpunësi civil pezullohet sipas detyrës zyrtare” nëse “ndaj nëpunësit civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksionit të saj/tij”. /Reporteri.net/.