Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas raportimeve se komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka kërkuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zgjidhje konkrete lidhur me çështjen e ushqimit të ushtarëve, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se deklarimi i Jasharit është tepër shqetësues.
“Si mund të jemi të sigurtë se kjo mazhorancë mund të avancojnë planin 10-vjeçar të transformimit të FSK-së në ushtri sipas standarteve të NATO-s, nëse nuk arrijnë të menaxhojnë çështje teknike e logjistike të furnizimit me ushqim të kadetëve të FSK-së?
Deklarimi i sotëm në media, ku Komandanti i FSK-së ngrit shqetësimet e tij tek Ministri dhe Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes, është tepër shqetësues”, shkroi Hoti.
Ndryshe, siç raporton Insajderi, në letrën e Jasharit drejtuar Maqedoncit, sqarohet se personeli në kuzhinë i angazhuar nga institucionet tjera ka thënë se do paraqiten në punë deri më 11 tetor.
Si rrjedhojë, është paralajmëruar se në rast se nuk bëhet një zgjidhje, do merren masa duke u detyruar t’i ndërpresin të gjitha aktivitetet.