×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Eurodeputeti slloven: Kosova dhe Serbia s’mund t’i thonë jo marrëveshjes së propozuar nga BE-ja

    Reporteri
    11 Mars 2023 | 21:03

    Eurodeputeti slloven, Klemen Groshelj ka thënë se asnjë palë nuk mund ta thjesht ta refuzojë planin e BE-së dhe se qëllimi parësor i kësaj marrëveshje është ulja e tensioneve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    Ai thotë se marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve e sheh si të tillë që asnjëra palë nuk mund thjeshtë t’i thotë “JO”, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Unë e shoh këtë marrëveshje si një përpjekje për të gjetur emëruesin më të ulët të përbashkët mes Serbisë dhe Kosovës. Vlerësimi i BE-së është se kjo është e pranueshme për Serbinë dhe në anën tjetër për Kosovën. Marrëveshja nënkupton njohjen nga ana serbe, por në të njëjtën kohë nënkupton që Serbia nuk do ta njohë zyrtarisht Kosovën. Do të thosha se ky është kreativiteti maksimal i diplomacisë së Brukselit në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, thotë ai.

    Ai thotë se kjo është vetëm një marrëveshje ombrellë dhe se ideja është palët të bien dakord më vonë për çështje për të cilat tani nuk mund të gjejnë pajtim.

    “Më duket se marrëveshja është krijuar në atë mënyrë që asnjëra palë nuk mund thjesht ta refuzojë atë. Mendoj se kjo marrëveshje, nëse nënshkruhet, do të kërkojë përfundimisht negociata shtesë për disa detaje. Mendoj se kjo është vetëm një marrëveshje ombrellë dhe se ideja është të bien dakord më vonë, kur gjërat të fillojnë të funksionojnë, për gjëra për të cilat ata nuk mund të bien dakord tani. Kam përshtypjen se një ide e tillë është në plan të dytë dhe se BE-ja dhe SHBA-ja aktualisht po përpiqen të bindin palën kosovare, serbe dhe shqiptare, sepse në këtë proces ka rol edhe diplomacia e tyre dhe kryeministri Edi Rama.

    Për eurodeputetin slloven njohja reciproke është në plan afatmesëm apo edhe afatgjatë.

    “Nuk mendoj se kjo është ideja për momentin. Është një synim në një të ardhme afatmesme apo afatgjatë. Me sa kuptova, tani primare është zvogëlimi i mundësisë së tensioneve të reja, përshkallëzimit dhe destabilizimit të marrëdhënieve. Dhe nuk po flas vetëm për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai në një intervistë për nova.rs. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!