×
  • Lajme
  • Lajme / Ndryshimet klimatike

    Parashikimet e OBM-së: Temperaturat do të mbeten në nivel rekord në 5 vitet e ardhshme

    Reporteri
    28 Maj 2025 | 10:32

    Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) bëri të ditur se sipas parashikimeve globale të klimës, temperaturat pritet të mbeten në ose afër niveleve rekord për 5 vitet e ardhshme

    OBM dhe Shërbimi Meteorologjik Britanik (Met Office) kanë publikuar një raport të përbashkët mbi parashikimet e temperaturës për 5 vitet e ardhshme.

    “Parashikimet globale të klimës tregojnë se temperaturat pritet të mbeten në ose afër niveleve rekord për 5 vitet e ardhshme, duke rritur rreziqet klimatike dhe ndikimet e tyre në shoqëri, ekonomi dhe zhvillim të qëndrueshëm. Temperatura mesatare vjetore globale afër sipërfaqes parashikohet të jetë 1,2 deri në 1,9 gradë Celsius më e lartë për çdo vit nga viti 2025 deri në vitin 2029 sesa mesatarja e viteve 1850-1900 (epoka para-industriale)”, thotë raporti.

    Sipas raportit, ekziston një probabilitet prej 86 për qind që të paktën një vit në pesë vitet e ardhshme të jetë 1,5 gradë Celsius mbi nivelin para-industrial se probabiliteti që ngrohja mesatare pesëvjeçare midis viteve 2025 dhe 2029 të jetë më shumë se 1,5 gradë Celsius vlerësohet të jetë 70 për qind.

    “Çdo shkallë shtesë e ngrohjes shkakton valë më të dëmshme të nxehtësisë, reshje ekstreme, thatësira intensive, shkrirjen e shtresave të akullit, akullit detar dhe akullnajave, ngrohjen e oqeanit dhe rritjen e nivelit të detit”, thuhet në raport.

    Raporti kujton se objektivi i Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1,5 gradë Celsius është objektiv që pritet të tejkalohet përkohësisht dhe me frekuencë gjithnjë e në rritje nëse tendenca e rritjes së temperaturës globale mbetet në këto nivele.

    – “Përjetuam dekadën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë”

    “Përjetuam dekadën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Fatkeqësisht, ky raport i OBM-së nuk tregon shenja lehtësimi në vitet në vijim, që do të thotë ndikime gjithnjë e më negative në ekonomitë tona, jetën e përditshme, ekosistemet dhe planetin tonë”, tha Ko Barrett, zëvendëssekretarja e përgjithshme e OBM-së.

    Ajo theksoi se monitorimi dhe parashikimi i vazhdueshëm i klimës është thelbësor për t’u ofruar vendimmarrësve mjete dhe informacione të bazuara në shkencë për t’i ndihmuar ata të përshtaten me kushtet e ngrohjes./Anadolu

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!