Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, ndoshta jo në mënyrë direkte, por tërthorazi sot ka dalë në mbështetje të kandidates Demokrate për Presidente të ShBA-së, Kamala Harris, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Harris kishte shkruar ditë më parë një letër për komunitetin shqiptaro-amerikan në ShBA, e të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka ndarë në faqen zyrtare në Facebook, vetëm një ditë para zgjedhjeve atje.
Javën e kaluar, në një konferencë për media, kur u pyet për zgjedhjet në ShBA, kreu i Qeverisë, Albin Kurti zgjodhi të mos pozicionohej, pasi bashkëpunon me të gjithë udhëheqësit, por kishte shtuar se si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje është social-demokrat dhe demokrat.
Mirëpo, pavarësisht atij “mos pozicionimi” në atë konferencë të javës së kaluar, në muajin gusht të këtij viti, Kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte bërë zyrtartizimi i emërimit të Kamala Harris si kandidate presidenciale për zgjedhjet e nëntorit në ShBA.
Më poshtë keni letrën e plotë të Kamala Harris për komunitetin shqiptaro-amerikan, e shpërndarë nga VV-ja:
Letra e hapur e kandidates për Presidente dhe zëvendës Presidentes së ShBA-ve, znj. Kamala Harris, për komunitetin shqiptaro-amerikan.
—
Letër e hapur për komunitetin shqiptaro-amerikan:
Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribut të paçmueshëm për kombin tonë për gjenerata të tëra, duke shfaqur përkushtim të thellë për familjen, komunitetin dhe rendjen drejt lirisë. Janë qindra-mijëra shqiptaro-amerikanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, qëndrueshmëria e komunitetit të së cilëve vazhdon të na frymëzojë të gjithëve.
Shqiptaro-amerikanët kanë dhënë kontribut të thellë në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre sipërmarrës, me vlerat e forta familjare dhe një përkushtim të thellë për edukimin dhe angazhimin shoqëror. Nga pronarë të vegjël biznesesh në profesionistë të mjekësisë, ligjit dhe shërbimit publik, shqiptaro-amerikanët kanë luajtur një rol qendror për ekonomitë lokale dhe forcimin e themelit shoqëror të shumë qyteteve anembanë vendit.
Për më shumë se një shekull – që nga Konferenca e Paqes së Parisit pas Luftës së Dytë Botërore – amerikanët dhe shqiptarët kanë pasur një lidhje të fortë. Edhe sot, shqiptaro-amerikanët e kujtojnë që kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që u kanë qëndruar pranë në momente kyçe për pavarësinë e Shqipërisë. Unë dua të konfirmoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleate e palëkundur e NATO-s dhe i jam falenderuese Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon dhe për udhëheqjen e saj me Këshillin e Sigurisë të OKB-së gjatë muajve pas pushtimit brutal rus të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë udhëhequr aleatët dhe partnerët evropianë drejt mbështetjes së pavarësisë historike dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë multietnike e demokratike, plotësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.
Këtu në shtëpi, i kuptoj sfidat e veçanta me të cilat përballen shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe jam e përkushtuar ndaj politikave që ngrisin komunitetin shqiptaro-amerikan, ku përfshihen përpjekjet për një ekonomi të mundësive dhe mbrojtja e të drejtave civile të të gjithëve. Pjesëmarrja e shqiptaro-amerikanëve në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Sot ne mund t’i japim formë një të ardhmeje që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta. Faleminderit për gjithë kontributin tuaj për këtë vend të madh.