Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se gruaja e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatban Bunjaku, Dafina Gezha, është emëruar në Bodrin drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
E një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe anëtarja e VV-së, Albulena Haxhiu, në një debat televiziv.
“Po”, është përgjigjur Haxhiu derisa drejtuesi i ‘Debat Plus’ e lexoi artikullin e Reporteri.net.
Tutje, Haxhiu duke e arsyetuar këtë emërim, pretendoi se Dafina Gezha nuk është anëtare e VV’së, por një gjë e tillë u demantua menjëherë nga prezantuesi i emisionit, i cili bëri të ditur se Gezha në profilin e saj në Facebook ka mjaftueshëm postime që tregojnë se është simpatizante e VV’së.
Dafina Gezha është emëruar në bordin e AUV-it në emër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës – IKSHPK. Ajo, me vendimin e Qeverisë do të ketë mandat 3 vjeçar.
Përveç saj, sot në Bordin Drejtues të AUV-it janë emëruar edhe Nysrete Doda nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Delvina Hana, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Arsim Qavdarbasha nga Ministria e Shëndetësisë – MSH, Selatin Kaçaniku nga Shoqata për mbrojtjen e Konsumatorëve – SHMK, Parim Bajrami nga Oda Ekonomike e Kosovës – OEK dhe Valdet Gjinovci nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë – AUV. /Reporteri.net/.