×
  • Lajme
  • Lajme / 15-16 prill

    Pas pak ditësh Forumi nën patronazhin e Presidentes Osmani që në thelb ka fokusin te gratë – Temat që do të trajtohen dhe kush janë të ftuarit

    Reporteri
    12 Prill 2024 | 12:00
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

    Më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë do të mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ky organizim është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Forumi mbahet me qëllim të bashkëpunimit për siguri dhe paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Presidentja Osmani ka njoftuar se forumi kësaj here do të trajtojë tema nga qëndrimi kundër dhunës seksuale gjatë luftës deri tek çështjet klimatike.

    Nikoqirët e ftuar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deri tash ka ftuar disa nikoqirë për të marrë pjesë në këtë forum.

    Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, qe e ftuara e parë.

    “Kemi nderin që ta mirëpresim Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e cila i bashkohet edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet mes tjerash.

    I ftuar është edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

    “Kemi nderin që ta mirëpresim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili i bashkohet edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, njofton Presidenca.

    Në këtë Forum do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

    “Kemi nderin që ta mirëpresim Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili i bashkohet edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, njofton Presidenca.

    Në Forum është ftuar edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

    “Kemi nderin që ta mirëpresim Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila i bashkohet edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani!”, u tha në njoftimin e sotëm.

    Këta janë të ftuarit deri më tash, ndërsa pritet për njoftime tjera gjatë ditëve të ardhshme.

    Gratë në fokus

    Sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ku udhëheqin gratë, mbretëron paqja.

    “Aty ku udhëheqin gratë mbretëron paqja. Por ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të heshtim, duhet të veprojnë bashkë. Më 15 dhe 16 prill 2024 ju mirëpresim në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë”, njoftoi presidentja para pak ditësh.

    Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të mbahet më 15 dhe 16 prill

    Ky është edicioni i dytë i Forumit që sipas Presidencës së Kosovës, mirëpret pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete me qëllim të bashkëpunimit për siguri e paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

     

    Presidenca e Republikës së Kosovës, ditë më parë njoftoi se Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS Forum) vjen në një kohë kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë sërish në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

    “Ndërsa vazhdojmë të lundrojmë në sfidat e paprecedentë globale, është më e rëndësishme se kurrë të sigurohemi që zërat e grave të përforcohen dhe kontributi i tyre të njihet përmes përfshirjes së tyre të drejtpërdrejtë në proceset vendimmarrëse”, thuhet në njoftim.

    Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS Forum) sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në Axhendën e WPS gjatë këtyre kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë themelore të kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

    “Ky edicion i Forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike. Duke vepruar kështu, objektivi i Forumit është të trajtojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej Agjendën e WPS”, thuhet në njoftim.

    Si iniciativë e presidentes Vjosa Osmani Sadriu, ky Forum paraqet një nga angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për Samitin për Demokraci./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!