Lëvizja Vetëvendosje sot e zyrtarizoi si kandidat për kryetar të komunës së Klinës, Ramiz Rrustën. Partia e Kurtit thotë se me Rrustën do ta bëjë ndryshimin në këtë komunë, dhe se nuk do të ketë bastione, shkruan Reporteri.net.
Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes të shtunën qëndroi në Klinë ku e prezantoi Ramiz Rrustën si kandidat për kryetar, ku tha se ky i fundit është i duhuri për të qeverisë me këtë komunë.
Por, Kurti në postimin e bërë në Facebook, nuk ka treguar se Rrusta para se të përfundoi te partia e tij ka qenë pjesë edhe e dy partive të tjera, PDK-së e AAK-së, shkruan Reporteri.net.
Rrusta së pari ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës ku vite më parë ishte kandidat për deputet i kësaj partie në zgjedhjet e vitit 2014 dhe më pas ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Klinës.
Në foton e mëposhtme mund të shihni se Rrusta ishte krahë Kadri Veselit në hapje të fushatës zgjedhore në Klinë, shkruan Reporteri.net.
Rrusta pas disa viteve aktivitet me PDK-në, i ndau rrugët me këtë parti, dhe më 15 nëntor të vitit 2018 iu bashkua partisë së Ramush Haradinaj, ku u mirëprit nga Zenun Elezaj, kryetar aktual i Klinës, njëherit kandidat edhe për një mandat nga AAK, poashtu edhe nga Duat Haradinaj e të tjerë, shkruan Reporteri.net.
Kujtojmë se Ramiz Rrusta i cili në zgjedhjet lokale do të garon si kandidat i VV-së për kryetar të Klinës, kundërkandidat do t’i ketë ish-bashkëpartiakët e tij, Zenun Elezaj nga AAK e Sokol Bashota nga PDK, ndërsa LDK ende nuk ka prezantuar zyrtarisht kandidatin e saj. /Reporteri.net/.