×
  • Lajme
  • Lajme

    Pasi një vajzë 26-vjeçare nga Obiliqi u konfirmua me koronavirus, flet kryetari Xhafer Gashi

    Reporteri
    17 Mars 2020 | 12:01

    Në mesin e komunave të prekura me koronavirus është edhe Obiliqi. Një 26 vjeçare që kidhte ardhur ditë më parë nga Anglia (së bashku me të fejuarin e saj) u konfirmua pozitiv me koronavirus sapo kishte zbritur në Aeroportin e Prishtinës.


    Ajo së bashku me të fejuarin nga Prizreni u dërguan në QKUK për mjekim, por pasi gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, ata u liruan për në shtëpi, ku janë vetizoluar.

    Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë për Reporteri.net se dy të rinjtë janë vetizoluar në një shtëpi në periferi të Obiliqit dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mire.

    “Dje e morëm lajmin nga mediet, e pastaj nga QKUK se është identifikuar një vajzë që ka ardhur nga Anglia me të fejuarin e vet nga Prizreni të dy 26 vjeçarë, që kanë dale pozitiv me virusin. Ata janë liruar dhe tani janë të vet izoluar në një shtëpi në periferi të komunës tone, dhe gjendjen e kanë stabile. Inspeksioni në atë pjesë të qytetit ka vendosur shiritat që të mos ketë lëvizje, por janë të njoftuar edhe banorët”, ka thënë Gashi për Reporteri.net.

    Sipas tij fati siç e quan në këtë fatkeqësi është se dy të rinjtë janë me profesion mjek dhe janë në dijeni se cilat masa duhet t’i ndërmarrin.

    Ai thotë se sipas informatave që posedon të rinjtë nuk kanë pasur kontakte me rrethin, dhe se kontaktet po zhvillohen vetëm përmes policisë dhe Qendrës së Mjekësisë Familjare.
    “Është vendos kontakti përmes drejtorit të QMF-së dhe për çdo nevojë që dy të rinjtë kanë do t’i përgjigjemi pozitivisht. Për momentin nuk kanë paraqitur ndonjë kërkesë”, ka deklaruar Gashi.

    Kreu i kësaj komune, thotë se kanë marrë të gjitha masat për t’u përballur me situatën e krijuar, ku janë mbyllur bizneset përveç marketeve e barnatoreve dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave për të mësuar rreth gjendjes shëndetësore të banorëve.

    “Dje kemi mbajtur një mbledhje shtatit emergjent. Kemi nxjerr dy vendime, që të vizitohen kompanitë që janë duke punuar, pra sa janë duke iu përmbajtur rregullave, a kanë maska mbrojtëse, a i kanë dezinfektuar hapësirat e masat tjera, dhe vendimi tjetër është që të kontaktohen kryetarët e fshatrave që të mësohet si është gjendja e të gjithë banorëve”, tha ai.

    Kurse i pyetur se a kanë mjaftueshëm pajisje mbrojtëse, kreu i Obiliqit thotë se po për momentin por jo për kohë më afatgjatë.

    “Për momentin i kemi disa pajisje, por nuk kemi për afatgjate, por shpresoj që Ministria e Shëndetësisë do të bëjë përpjekje për furnizim kurdo që paraqitet nevoja më tepër, dhe shpresoj të mos mbesim keq në këtë drejtim”, tha ai.

    Gashi ndërkaq ka bërë të ditur se edhe komuna aktualisht po punon me staf më të vogël.
    “Në komunë e kemi zvogëluar numrin e zyrtarëve komunalë, duke zbatuar vendimin e qeverisë. 72 zyrtarë janë të liruar nga objekti dhe punët e tyre po i kryejnë përms formave elektronike, por kur drejtorët kanë nevojë për ndonjë punëtorë nga stafi, ata po vijnë dhe po kthehen më pas sërish në shtëpi”, tregoi Gashi për Reporteri.net.

    Kryetari i Obiliqit për fund ju ka bërë apel thirrje të gjithë qytetarëve të komunës së tij të lëvizin sa më pak.

    “Ju bëjë apel të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, s’ka nevojë për ndonjë shqetësim, t’i respektojnë vendimet e shtabit emergjent të komunës dhe të qeverisë, të rrinë në shtëpi”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!