Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka reaguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, i cili akuzoi Qeverinë në detyrë për bllokim të buxhetit e të hyrave vetanake, teksa e cilësoi këtë si hakmarrje politike.
Murati ka thënë se Rama ka “rrejtë” kur ka akuzuar Qeverinë në detyrë si bllokuese të buxhetit të komunës.
“Sa plason akuza të pavërteta, Përparim Rama e ka shumë më të lehtë që t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit, ashtu që pastaj të mundësohet edhe plotësimi i Ligjit të Buxhetit me buxhetin e Komunës së Prishtinës”, ka shkruar Murati.
Ai ka thqënë se buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së voni deri me 30 shtator ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor.
“Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as me 30 shtator, e madje as me 31 tetor. Përparim Rama, përkatësisht asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratur projekt-buxhetin komunal me 9 dhjetor, pra pas të gjitha afateve ligjore. Kjo vonesë nënkupton që për të hyrë në fuqi projekt-buxheti komunal, nevojitet një ndryshim/plotësim i Ligjit të Buxhetit nga ana e Kuvendit”, ka shkruar tutje Murati.
Në fund, ai ka thënë se tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjedhet Qeveria e Re, mund të inicohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Rama ka thënë se kjo është një ndalesë “e jashtëligjshme e motivuar politikisht”, teksa ka shtuar se janë bllokuar edhe të hyrat vetanake të komunës.
“Ky është një akt i paprecedent dhe i papranueshëm që i shndërron qytetarët në pengje të një kalkulimi politik. Një bllokadë e tillë administrative, e motivuar nga interesa elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka tejkaluar çdo kufi të arsyes, etikës dhe përgjegjësisë njerëzore e institucionale. Kryeqyteti po ndëshkohet sepse nuk qeveriset nga strukturat qendrore të pushtetit aktual”, ka shkruar tutje Rama./Reporteri.net