Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ankuar se nuk po kanë kushte të mira për të punuar në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Kosovës. Ata janë ankuar për mikrofonat, altoparlantat e për ngrohëse në atë sallë, derisa po mbahet seancë.
Deputeti Xhavit Haliti i ka thënë kryeparlamentarit Glauk Konjufcës që të mos kursejë për të përmirësuar kushtet për mbajtjen e seancave. Haliti ka shtuar se në asnjë parlament në botë nuk ka parë kushtet në të cilat deputetët e Kosovës punojnë gjatë seancave.
“Zotri kryetar, e di që je kursimtar dhe ju në përgjithësi ju e kurseni shumë buxhetin e Kosovës. E keni pasë nisur një proces të oksigjenizimit të kësaj salle, dhe pse nuk po punojnë këto aparate, sepse ty po të kushton dhe neve me kohë sepse po mbesim me një ligj, me një çështje kur po votojmë nga 5 orë, duke votuar me dorë, numëro ç’numëro. Nuk duhet me kursy. Edhe këtë të oksigjenizimit, nuk ka sallë në botë që është në këtë gjendje si kjo e jona. Nuk mundet të nxehet salla me ata (invertor), sepse ata nuk janë për këtu por për kafe. Duhet të rregullohen edhe altoparlantat, mikrofonat, e jo me na lënë 2-3 ditë me çështje të papërfunduara. Me e matë ju tash si është gjendja e ajrit brenda në sallë, është shqetësuese. Unë krejt ato që dikush mund të të akuzojë se ke keqpërdorë, e marr unë përsipër. Mos kurseni, krijonani kushte”, ka thënë Haliti.
E Konjufca e ka mbështetur kritikën e Halitit dhe ka thënë se këto çështje do të zgjidhen, por ajo ka kërkuar këtë me arsyetimin se asnjë ministër nuk po merr pjesë në sallë.
Edhe deputetja Ganimete Musliu nga PDK ka thënë se seanca nuk duhet të vazhdojë më tej.
“Kjo gjendje që është tani në sallë nuk krijon kushte për punë. Konsideroj që ko seancë të ndërpritet sepse nuk mund ta marrim vendim. Është e kotë të rrijmë dhe të debatojmë. Aq më tepër kur gjatë gjithë ditës sot asnjë ministër nuk ka qenë prezent këtu”.