Partia Demokratike e Kosovës ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe ish-kryeministrin Albin Kurti për gjendjen nëpër të cilën po kalon Telekomi i Kosovës.
Sejdi Hoxha në një konferencë për media të mbajtur sot, ka thënë se Kurti sa ishte kryeministër kurdisi gjithçka që ndërmarrjet të falimentojnë.
Telekomit të Kosovës së fundi i janë bllokuar llogaritë bankare për një rast të humbur në Arbitrazh me operatorin virtual Z-mobile, që ishte aktiv deri vjet.
VV-ja ka udhëhequr me vendin për katër muaj, deri në fillim të qershorit.
Hoxha ka vlerësuar se jo vetëm Telekomi, por edhe ndërmarrjet tjera janë sjell në gjendje para falimentimit për shkak të veprimeve të Kurtit.
“Për më shumë se 100 ditë qeverisje, Albin Kurti e Vetëvendosje patën harruar krejtësisht që ekziston mbiemri Devolli.
Prandaj, si ka mundësi që pikërisht nga bordi i tyre, drejtorët e tyre dhe përmbaruesit e tyre, sot të rrezikohet përfundimisht ekzistenca e Telekomit të Kosovës?
Lëvizja Vetëvendosje ka ndërtuar teori të mashtrimit në emër të çrrënjosjes së krimit, ndërsa me veprimet e saj të instalimit të njerëzve politikë në ndërmarrje publike i ka kontribuar dështimit të menaxhimit në këto ndërmarrje, duke kurdisur raste të cilat i çojnë ndërmarrjet drejt falimentimit.
Qeveria Kurti ka ndërtuar lidhje piramidale jo vetëm në Telekom, por edhe në ndërmarrje tjera publike, si në KEK, ku jo rastësisht ushtrues detyre i Kryeshefit është zgjedhur Luigj Imeri, i cili ka lidhje familjare me Deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje sot po përpiqen ta kamuflojnë këtë fakt dhe ta krijojnë një target të ri ku ata do të gjuanin për të përfituar politikisht”, ka thënë deputeti Hoxha.
Ai ka akuzuar VV-në, duke shtruar pyetjen “se si është e mundur që përmabrues i çështjes së Telekomit të jetë vëllai i deputetes Fatmire Mulhaxha Kollçaku”.
“Ditë më parë, përmbaruesi privat i paguar nga z-mobile e që doli të jetë vëllai i Deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Kollçakut, ka bllokuar llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës, duke e sjellë atë buzë falimentimit, ndërsa vetë pret t’i fitojë qindra mijëra euro nga ky proces”, ka thënë ai.
Z Mobile ka operuar për dhjetë vjet në Kosovë. Borxhi i përmbarimit që duhet të paguajë Telekomi është mbi 26 milionë euro. /Reporteri.net/