Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku do të debatohet për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin, Milan Radojiçiq.
Në seancë nuk po marrin pjesë deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë seancë do të diskutohet për komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me përgjegjësin e sulmit terrorist të Banjskës në shtator të vitit të kaluar.
Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës e mbështetur edhe nga dy partitë e tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
PDK ka propozuar që në këtë seancë të miratohet edhe një rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të nis hetime penale ndaj Kusari-Lilës lidhur me komunikimet e saj me Radoiçiq.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se duhet të shihet se deri ku ka arritur vendimmarrja e shtyrë nga Milan Radojiçiqi në Kuvend.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit për të hetuar për këtë bashkëpunim në mes të shefes së deputetëve të VV-së dhe Milan Radojiçiqit.
“Kemi mbërritë me një pikë ku BIA serbe, shërbimet serbe përmes Radoiçiqit me ndikim te Lëvizja Vetëvendosje na e kanë përcaktuar vendimmarrjen në Kuvend. Cilat janë çështjet e përbashkëta që këta i kanë shtruar. Edhe më të rëndë e bën fakti që nuk kemi evidencë të votimeve çka kemi votuar në këtë Kuvend. Nuk kemi rekord të votimeve që janë shtyrë prej këtyre akterëve. Ne e dimë që Radoiçiqi na e ka përcaktuar pagën minimale me Mimoza Kusari Lilën. E dimë që Radoiçiq bashkë me LVV i kanë lënë bashkë kategoritë më të ndjeshme të vendit tonë. Milan Radoiçiqi me Mimoza Kusarin e kanë pasur një kandidat të përbashkët. Unë i kërkoj sot prokurorit te shtetit të ketë hetim penal mbi këtë çështje sepse është cenuar siguria kombëtare”, ka thënë Tahiri në Kuvend. /Reporteri.net/