Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas djegies së dy zyreve në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, duke thënë se një gjë e tillë është tepër shqetësuese dhe se shkaqet e këtij zjarri duhet të zbardhen sa më parë.
Tutje në postimin e tij të bërë në Facebook, deputeti i PDK-së ka thënë se pas skandalit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit e dështimit për mbrojtje dhe siguri të IML-së, tani është cënuar besimi i qytetarëve në punën e këtij institucioni.
Sipas tij, përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë Kurti për degradimin e punës së IML-së kërkojnë trajtim urgjent nga ana e Kuvendit të Kosovës.
“Djegia e zyreve të punës së ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në mëngjesin e ditës së sotme është tepër shqetësuese, prandaj edhe rrethanat e shkaqet duhet të zbardhen sa më parë”, ka shkruar Tahiri.
“Pas skandalit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, dështimit për të shtuar kapacitetet e mbrojtjes dhe të sigurisë së IML-së, sulmeve dhe fyerjeve të udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë ndaj ekspertëve mjeko-ligjor, ka cenuar thellë edhe besimin e publikut në punën e këtij institucioni, i cili si i tillë, është në vartësi të drejtpërdrejtë menaxheriale të Ministrisë së Drejtësisë.
Përpjekjet e vazhdueshme të kësaj qeverie për të degraduar punën dhe imazhin e IML-së, kërkojnë trajtim urgjent edhe nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Lidhur me këtë rast, reagoi sot edhe Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi i cili tha se një gjë e tillë nuk është rastësi e vogël, kur një ditë pas Ministrja Haxhiu u intervistua nga Prokuroria për rastin Dehari.
Në anën tjetër, ka shprehur dyshime se dikujt po i pengon ky institut, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka pyetur se kujt po i pengon ky institucion.
Ministria e Drejtësisë ka dalë me një reagim pasi objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm.
Në reagimin e MD-së thuhet se shkaqet e zjarrit ende nuk dihen dhe se në vendngjarje po qëndron zëvendësministri, Blerim Sallahu.
“Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrëfiksëve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net/