×
  • Lajme
  • Lajme / Në ora 11:30
    INSTANT

    PDK sot mban Konventën e Përgjithshme, Memli Krasniqi kandidati i vetëm për kryetar

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 8:10

    Partia Demokratike e Kosovës sotqershor do ta mbajë Konventën e Përgjithshme ku edhe do të zgjedh kryetarin e ri.

    Kandidatura e vetme për pozitën e kreut të partisë është ajo e Memli Krasniqit, shkruan Reporteri.net.

    Mediat do të mund të përcjellin fjalimin hyrës të Krasniqit dhe pas kësaj Konvente do të ketë edhe një konferencë për media.

    Krasniqi kritikon Vetëvendosjen: Kosova nuk mund të ecë përpara me ata që e kthyen mbrapa

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 12:49

    Kryetari i Partisë Demokatike të Kosovës, Memli Krasniqi në fjalimin e mbajtur sot në Konventën zgjedhore të partisë ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se po e mban vendin peng, e cila ndonëse ka dalë e para në zgjedhje, ka humbur legjitimitetin për të qeverisur.

    Krasniqi, ritheksoi se PDK nuk e voton asnjë kandidat për Kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar.

    “Kemi qëndruar me dinjitet e konstruktivitet në këtë periudhë, duke e vendosur interesin qytetar dhe shtetëror mbi të gjitha. Kemi qenë të vendosur që të ndryshojmë kahjen e gabuar në të cilën e ka futur vendin Qeveria në ikje, përmes krijimit të Qeverisë së re me partitë e opozitës së kaluar, me Bedri Hamzën Kryeministër”.

    “Por, po aq me vendosmëri, e themi edhe sot: nuk do të votojmë asnjë kandidat për Kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, sepse besojmë që Kosova nuk mund të ecë përpara me ata që e kthyen mbrapa. Ne nuk jemi këtu për të ndihmuar riciklimin e kapitullit më të dështuar politik të shtetit tonë. Ne jemi këtu për të shkruar një kapitull të ri”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Memli Krasniqi në Konventën e PDK-së: Kauza jonë është Kosova, të mobilizohemi për fitore të reja

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 12:41

    Partia Demokratike e Kosovës po mban Konventën e Përgjithshme, të njëmbëdhjetën me radhë, ku do të zgjidhet kryetari partisë dhe kryesia e re.

    I vetmi kandidat për kryetar të PDK-së, është kryetari aktual Memli Krasniqi.

    Duke iu drejtuar delegatëve të pranishëm, Krasniqi tha se kjo konventë është thirrje për të vazhduar rrugën e bashkimit dhe fuqizimit, ashtu siç i kaluan të gjitha sfidat nga shkuarja e Thaçit dhe Veselit në Hagë, dolën fitues të zgjedhjeve lokale në vitin 2021, dhe morën rreth 200 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit me Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.

    “Ky mandat mbaroi, por puna jo. PDK është në rritje, dhe rritja kërkon stabilitet. Po përgatitemi për fitore, dhe fitorja kërkon unitet. Prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj për të vazhduar si Kryetar i juaji edhe në sfidat që i kemi përpara. Jo për pozitën, por për misionin. Jo për veten, por për rrugën që duhet ta ndjekim së bashku. Sepse punët që na presin: fitorja në zgjedhjet lokale, udhëheqja e qeverisë së ardhshme, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, kthimi i Kosovës në partner serioz ndërkombëtar, nuk mund të presin. Dhe ne duhet të jemi ata që i udhëheqin”, u shpreh ai.

    Krasniqi theksoi se për 4 vite, PDK u ngrit, u anëtarësua në rrjetin e familjeve evropiane dhe botërore të partive liberal-demokrate, organizoi Konventën 50/50 për fuqizimin dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje, fuqizoi Rininë Demokratike të Kosovës, ku sot kryetarja e saj Arbnora është deputete.

    “Ne nuk flasim vetëm për të ardhmen. Ne duam ta projektojmë të ardhmen. Në Kuvendin e Kosovës kemi qenë zëri i maturisë dhe përgjegjësisë. Kemi dialoguar kur ka pasur mundësi, dhe kemi kundërshtuar kur ka qenë e nevojshme. Por, asnjëherë nuk kemi bërë kompromis me parimet tona. Kemi rrëzuar një numër të madh ligjesh në Gjykatën Kushtetuese, që cenonin interesin publik, të punëtorëve, familjeve dhe të vetë Republikës së Kosovës. Por, suksesin më të madh e arritëm me 9 shkurt: Kthimin e pluralizmit në Kosovë, e shpëtuam Republikën nga monizmi dhe nga sundimi njëpartiak”, theksoi ai.

    Krasniqi tha se kur Kosova dhe PDK-ja ecin së bashku, ka vetëm një drejtim, përpara.

    “Kauza jonë është Kosova. Kauza jonë është zhvillimi. Kauza jonë është e ardhmja. Dhe ne do ta ndërtojmë atë – së bashku”, shtoi ai.

    Krasniqi tha se në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, PDK nuk garon vetëm për të rifituar komunat që i drejton aktualisht, por për t’i fituar edhe disa të tjera me radhë.

    “Bedri Hamza, Agim Aliu, Shaqir Totaj, Fadil Nura, Ramiz Lladrovci, Ferit Idrizi, Besim Ilazi, Mehmeti Ballazhi, por edhe Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, janë shndërruar në kampionë të qeverisjes së mirë gjithandej Kosovës: Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim! Ata janë kampionë të zhvillimit, transparencës dhe rezultateve, të konfirmuara e shpërblyera për këtë gjë. Tani, unë e kuptoj që vjen një periudhë ku secili person politik, për një arsye ose tjetër, ndjen se ka ardhur koha që t’u krijojë hapësirë gjeneratës së re. Dhe, natyrisht, për ta, ne do të kemi gjithmonë vetëm mirënjohje dhe falënderim, që kanë përfaqësuar me dinjitet identitetin e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, po ashtu, zotohemi bashkë këtu se do të punojmë pa ndalur të gjithë për t’i mbështetur kandidatët dhe kandidatet tona në zgjedhjet e kësaj vjeshte, me bindjen se shërbimi i tyre për qytetarët do të jetë shembulli me të cilin do të mburremi bashkë”, shtoi Krasniqi. /Reporteri.net/.

     

    Hamza: PDK e ka ndërtuar shtetin – jemi të gatshëm ta udhëheqim Kosovën për një të ardhme më të mirë

    Reporteri
    21 Qershor 2025 | 12:24

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në Konventën e njëmbëdhjetë të partisë tha se PDK është e gatshme për ta marrë udhëheqjen e vendit, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se PDK është forca që e ka ndërtuar shtetin.

    “Jemi forca që e kemi ndërtuar këtë shtet, dhe udhëhequr, dhe përsëri jemi të gatshme ta udhëheqim Kosovën për një të ardhme më të mirë”

    “Jemi partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët tha se nuk  u thyen as sot kur po përballen me padrejtësi”, tha Hamza.

    Ai tha se vendi sot përballet me pasiguri dhe mungesë shprese.

    “Qytetarët mund të pyesin se kush mund ta udhëheq me përgjegjesi, dhe përgjigja është e qartë Partia Demokratike e Kosovës. Këtë e kemi dëshmuar me vepra”, tha Hamza.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!