×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    PDK thërret konferencë të jashtëzakonshme për media, Bedri Hamza pritet të kandidohet për kryeministër

    Reporteri
    27 Mars 2024 | 13:16

    Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur një konferencë për media, për sot në ora 15:00. Mediave pritet t’u drejtohet kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Gazeta online Reporteri.net merr vesh se në këtë konferencë për media, PDK do të njoftojë se kryetari aktual i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza do të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

    Kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi do të dalë me propozimin zyrtar që  Hamza të jetë kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e reja parlamentare.

    Gjatë ditëve të fundit, pozitë e opozitë kanë folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

    Kjo pasi oferta e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare se “bashkë mund t’i bëjnë numrat për ta shpërndarë Kuvendin”, ka rikthyer debatin për zgjedhje të parakohshme në vend.

    Kreu i ekzekutivit kosovar garantoi se do t’ia sigurojë opozitës dy të tretat (2/3) e votave të nevojshme për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    Ofertës së kryeministrit Albin Kurti për zgjedhje të parakohshme nuk i janë përgjigjur njësoj partitë opozitare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është përgjigjur duke e ftuar Kurtin të shkojnë në zgjedhje menjëherë.

    “Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbet pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin” – u shpreh Krasniqi gjatë së enjtes.

    Ndërkaq,  kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përjashtuar mundësinë që kjo parti të mbështes ndonjë mocion për shpërndarje të Kuvendit.Sipas tij, Kurti është dorëzuar, andaj duhet që të jap dorëheqje.

    Ndërsa nga AAK kanë prezantuar një mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë se Kosovës. /Reporteri.bet/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!