Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka folur sot para deputetëve të Kuvendit lidhur me aferën e ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj.
Tahiri e konsideroi fatkeqësi që sot, një komision hetimor në Slloveni, po e heton një ambasador kosovar, për të cilin tha se në Kosovë nuk po flet askush, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Sot e kemi një komision hetimor, që po na heton neve një ambasador, në Slloveni. Pra, komisioni hetimor po e heton ambasadorin tonë, sepse ai është shtetas slloven, krijimin e ka kry në Slloveni, veprën penale e ka kry në Slloveni. Për Martin Berishajn – 2 milion euro i ka nxjerr keq ‘cari’, 1 milion e gjysmë në Kosovë, 600 mijë atje – nuk flet njeri i gjallë, as prokuror, as gjyqtar, as inteligjencë as kurgjo”, tha Tahiri para deputetëve.
Rastin e Berishajt, që Tahiri tha se “në sytë e inteligjencës financiare në Kosovë” i ka tërheq 1 milion euro e gjysmë, ai e cilësoi si kapje të institucioneve shtetërore.
“Nuk guxon prokuror me përmend, as me u marrë. Në sytë e inteligjencës financiare në Kosovë, në qit vend i ka tërhek 1 milion e gjysmë euro. O zotni, kjo është e tmerrshme. Kjo është kapje e rëndë e shtetit, e institucioneve tona shtetërore”.
Tahiri deklaroi se së shpejti pritet që Grupi Parlamentar i PDK-së ta sjell për votim në Kuvend një rezolutë për shkarkimin e ambasadorit Berishaj.
“Besoj se si grup parlamentar, shumë shpejt, do të prezantojmë një rezolutë për shkarkimin e Martin Berishajt. Qaty kena me pa, kush e mbështet e kush jo”.
Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Skandali i Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, është padyshim afera më e madhe korruptive që ka përfshirë diplomacinë kosovare. Ambasadori Berishaj dyshohet se është përfshirë në një skandal të madh financiar në Slloveni.
Afër 2 milionë Euro të hyra në biznesin e Martin Berishajt ku u derdhën paratë e GEN-I nga Beogradi