Ka përfunduar mbledhja gjithëditore në Prevallë e qeverisë së Kosovës.
Pas mbledhjes kanë folur dy zëvendëskryeministrat Avdullah Hoti e Haki Abazi.
Ata kanë thënë se mbledhja e sotme ishte jashtëzakonisht produktive.Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se gjatë ditës së sotme marrëveshja e koalicionit është shndërruar në plan të punës.
“Ato që e kemi mbërri në marrëveshje të koalicionit e kemi shndërru në plan të punës”, tha ai, duke refuzuar t’i përgjigjet pyetjes se nëse do të ketë takim tjetër për harmonizimin e qëndrimeve për taksën.
Zëvendëskryeministri Abazi ka thënë se kanë përfunduar procesin e planit qeverisës dhe se programi do të jetë publik shumë shpejtë, shkruan Reporteri.net.
“Kemi pasë një ditë jashtëzakonisht të frytshme me diskutime jashtëzakonisht mirë të përgatitura. Kemi përfunduar procesin e planit qeverisës dhe kemi përcaktuar kornizën e punës për prioritetet. Programi shumë shpejtë do të jetë në qeveri”, ka thënë ai.
Abazi ka treguar se sa u ka kushtuar qëndrimi i sotëm në një nga hotelet e Prevallës. Sipas tij kostoja ishte 150 euro, sa ka kushtuar salla ku kanë qëndruar përgjatë ditës.
“150 euro salla ku kemi qëndruar gjatë gjithë ditës. Për pjesën tjetër është një drekë e thjeshtë që e kanë konsumuar ministrat bashkë me stafin. Ne jemi munduar të zgjedhim një vend brenda Kosovës dhe ku mund të zhvillojmë punë produktive”, ka thënë ai. /Reporteri.net