Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas zjarrit që sot e ka përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Ai ka shprehur dyshime se dikujt po i pengon ky institut, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka pyetur se kujt po i pengon ky institucion.
“Kujt po i pengon Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë?”, ka shkruar Lushtaku.
Gjatë ditës për zjarrin në IML dyshime hodhi edhe sekretari organizativ në Partinë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi.
Gjoshi ka thënë se nuk është një rastësi e vogël, që një ngjarje e tillë ndodhi një ditë pas intervistimit të Ministres Albulena Haxhiu nga Prokuroria.
Për zjarrin në IML me reagim ka dalë edhe Ministria e Drejtësisë.
Në reagimin e MD-së thuhet se shkaqet e zjarrit ende nuk dihen.
“Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrëfiksëve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë”, u tha në reagim.
Siç bëri të ditur Policia e Kosovës për Reporteri.net, nuk ka pasur persona të lënduar si pasojë e zjarrit, teksa dy zyre janë djegur në këtë objekt. /Reporteri.net/