Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja të veçanta për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Vendimin përfshin 30 masa, të cilat hyjnë në fuqi nesër.
Sipas masave që hyjnë në fuqi nga e premtja, në Prishtinë dhe disa komuna të tjera të Kosovës, pas orës 19:00 do të ketë “orë policore”.
Ndërkohë sot u konfirmuan po ashtu numër i lartë i rasteve me Covid-19. 8 të vdekur dhe 767 raste me coronavirus është bilanci 24 orësh i publikuar nga IKSHPK.
Këtë bilanc pak më parë e ka publikuar edhe kryeministri Avdullah Hoti në profilin e tij në Facebook.
Në bilancin e publikuar shihet qartë se në komunat me shumicë serbe nuk janë raportuar rastet e të infektuarve me COVID-19.
“Shëndeti i qytetarëve është parësor për ne.
Prandaj kemi marrë dhe po marrim masa që t’ia dalim me kurajo dhe ta luftojmë këtë virus të rrezikshëm. Vala e dytë e pandemisë po i gjenë institucionet tona shëndetësore më të përgatitura. Megjithatë, kapacitetet tona spitalore janë të limituara dhe kërkohet kujdes maksimal për t’u mbrojtur nga virusi.
Në linkun më poshtë, mund të gjeni shpjegimin e detajuar të masave të reja që u votuan sot në Qeverinë e Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Në komunat: Leposaviç, Zubin Potok, Partesh, Shtërpcë, Zveçan dhe Ranillug mungojnë shifrat rreth të infektuarve me COVID-19 edhe pse janë në zonën e verdhë (rrezik i mesëm i infektimit) që do të thotë se duhet t’i kenë së paku 76 deri në 150 persona të infektuar.