×
  • Lajme
  • Lajme / Flet drejtori i IML-së

    Përfundon autopsia e tre trupave të grupit terrorist

    Reporteri
    30 Shtator 2023 | 10:50

    Ka përfunduar autopsia e tre trupave të tre pjesëtarëve te grupit terrorist të cilët u vranë gjatë një kundërsulmi që patën me Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit.

    Drejtori i IML-së Ditor Haliti ka konfirmuar se tashmë ka përfunduar autopsia ndërsa raportet e tyre ende nuk janë finalizuar.

    “Po ajo çka mund të them është se autopsia ka përfundu. Identifikimi kjo është cështje e prokurorisë. Raportet ende nuk janë përfunduar”- ka deklaruar Haliti për kallxo.com.

    Trupat e Stefan Nedeljkoviq, Igor Millenkoviq dhe Bojan Mijailoviq janë dërguar në IML për t’iu kryer obduksioni.

    Stefan Nedelkoviq, për shkak të shkëmbimit të zjarrit nga një kundërpërgjigje e Policisë se Kosovës fillimisht ishte plagosur e më pas ishte tërhequr zvarrë nga pjesa tjetër e grupit, për t’u lënë në malet e Banjskës. Vdekja e Nedelkoviqit ishte konfirmuar të dielën ndërsa Policia më vonë njoftoi se ka gjetur trupin e tij.

    Nedelkoviq, siç raporton Kallxo.com, ishte nga Zveçani ndërsa dy pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist që u vranë ishin nga Leposaviqi. Një tjetër i vrarë është edhe Igor Milenkoviq.

    Ky i fundit jetonte në Leposaviq. Po ashtu, edhe personi i tretë, Bojan Mijailoviq ishte nga Leposaviqi.Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se dy nga të vrarët kishin nënshtetesi të dyfishtë.

    Një rreshter i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24 shtator, kur një grup terrorist sulmuan patrullën policore në zonën e banuar me shumicë serbe, Banjskë të Zveçanit.Nga përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit terrorist.

    Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor, dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!