×
  • Lajme
  • Lajme / Tarifat e Trump

    Përplasja Osmani-Murati, Hoti: Jetike për Kosovën të kemi një qeveri proamerikane dhe proevropiane

    Reporteri
    04 Prill 2025 | 10:22
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se është jetike për Kosovën ta ketë një qeveri proamerikane dhe proevropiane që e kthen miqësinë e ngushtë të Kosovës me SHBA-në, shkruan Reporteri.net.

    Reagimi i tij vjen një ditë pas thirrjes së Presidentes Vjosa Osmani, e cila kërkoi nga Qeveria që ta heq taksën prej 10 përqind ndaj produkteve amerikane, kërkesë e cila më pas u bë shkak i një përplasje mes Presidencës dhe Qeverisë.

    Hoti ka thënë se është dëm i madh për vendin që nuk u zbatuan marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2020, në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, duke përmendur Marrëveshjen e Washingtonit, Marrëveshjen për Insentivat në Investime SHBA-Kosovë dhe Memorandimi i Mirëkuptimit SHBA-Kosovë.

    “Sikur këto marrëveshje të zbatoheshin, sot partneriteti strategjik i Kosovës me SHBA-në do të ishte në nivele shumë të larta. Prandaj, është jetike për Kosovën të kemi një qeveri proamerikane dhe proevropiane që e kthen miqësinë e ngushtë të Kosovës me SHBA-në, që iu kthehet këtyre marrëveshjeve, që mund të udhëtojë kurdo që është e nevojshme në Uashington për konsulta dhe për mbështetje”, ka shkruar Hoti.

    Ndryshe, zyrtarë të Presidencës së Kosovës dhe të Qeverisë janë përplasur në rrjete sociale, pas njoftimit të presidentes Vjosa Osmani se ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Me këtë veprim sipas Osmanit, do të përcillej mesazhi se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.

    “Jam e bindur se ky veprim do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen afatgjatë ekonomike”, ka shkruar tutje Osmani në platformën “X”.

    Sipas saj, më shumë se veprim ekonomik, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar angazhimin e qëndrueshëm për aleancën Kosovë-SHBA, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe mbështetjes që vazhdon prej dekadash.

    Por, kjo kërkesë e Osmanit u kritikua nga ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar ashpër presidentes Vjosa Osmani e cila kërkoi nga Qeveria në detyrë që të pezullojë taksën prej 10% që Kosova e ka të vendosur ndaj mallrave të SHBA-së. Fillimisht Murati vlerëson se temat si kjo trajtohen larg mediave dhe “publiku njoftohet kur të merret vendimi”.

    Lidhur me tarifën e SHBA-së, Murati thotë se ka qenë në diskutim me kryeministrin Kurti ditën e djeshme.

    “Shfrytëzoj rastin përmes këtij postimi që të njoftoj Presidenten, por edhe qytetarët, që si kabinet qeveritar ne veçse kemi qenë duke e shqyrtuar këtë temë. Dhe kurdo që merret një vendim patjetër që do t’ju njoftojmë me kohë”, komunikon Murati përmes Facebook-ut me presidenten.

    Sipas tij, “impakti financiar i pasjes apo jo të një regjimi tarifor ka ndikim të vogël në ekonominë tonë”.

    “Gjithsesi, si partnerë e aleatë të përhershëm, synimi ynë është që të rritet vëllimi i këmbimit tregtar, dhe e mbështesim plotësisht parimin e Presidentit Trump për tregti të lirë e pa barriera dhe fer”, pohon ai.

    Pas kësaj, këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, ishte i ashpër me Muratin. Ai tha se Ministri Murati është njeriu i fundit që mund të flas për seriozitet.

    Tutje, Kupina e përshkroi Muratin si “Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjik.”

    Kupina gjithashtu ia kujtoi Muratit se Presidentja udhëheq me politikën e jashtme, dhe se kjo temë është e kontekstit strategjik.

    Në listat e publikuara të shteteve që SHBA-ja u ka vënë tarifa, figuron edhe Kosova me 10 për qind tarifa. Gjatë ditës së djeshme edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheqë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Reporteri.net/

     

    Tarifat e Trumpit përplasin Presidencën e Qeverinë

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!