Pesë të vdekur në fatkeqësi vetëm ditën e djeshme

Brenda ditës së djeshme, pesë persona kanë vdekur në qytete të ndryshme të Kosovës në tre raste të fatkeqësive të ndryshme.


Të shtunën që lamë pas, ata vdiqën si pasojë e aksidentit të trafikut, vrasjes e vetëvrasjes.

Dita e sotme nisi me tre persona të vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku në fshatin Raçë të Gjakovës.

Policia ka njoftuar se sot rreth orës 07:40 të mëngjesit, është njoftuar për një aksident në fshatin Raçë.

Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes është vërejtur se brenda veturës e cila kishte dalë jashtë rrugës, kanë qenë tre persona.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë auto ambulanca, zjarrfikësit, njësia e trafikut si dhe prokurori kujdestar, nga të cilët është konstatuar se personat që gjendeshin brenda veturës, ishin pa shenja jete.

Pas disa orëve, u raportua për një vdekje të dyshimtë në lagjen Veternik në Prishtinë, e cila dyshohet se është vetëvrasje.

Policia ka pranuar informacionin rreth këtij rasti sot rreth orës 11:00, ndërsa po vazhdon të hetoj rastin duke e kualifikuar si vdekje të dyshimtë, u tha në njoftimin e Policisë.

Pas rastit në lagjen Veternik në Prishtinë, një person u vra në qytetin e Mitrovicës.

Rasti ndodhi në tregun e qytetit, ndërsa i vrarë mbeti një 27 vjeçar.

Policia në Mitrovicë njoftoi se si të dyshuar për këtë rast, ka arrestuar personin me inicialet Sh.A., i cili me vendim të prokurorit është në ndalim policor.

Në këtë rast policia ka treguar se edhe dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa sipas tyre njëri nga ta është plagosur aksidentalisht.