Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Presidentit të ShBA-së, me një aktivitet ku merrnin pjesë dhe një grup fëmijësh, te shtatorja e Presidentit Bill Clinton në Prishtinë.
Osmani pas aktivitetit, nuk ka komentuar më shumë në pyetjet e gazetarëve rreth planit franko-gjerman, duke thënë që qëndrimi i saj lidhur me këtë çështje nuk ka ndryshuar.
“Dihet qëndrimi im për planin franko – gjerman, nuk ka ndryshuar”, ka thënë tutje Osmani.
Para dy javësh, në një intervistë për televizionin malazez “Vijesti”, Osmani tha se për të është i pranueshëm plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si platformë e mirë për vazhdimin e negociatave dhe se tani mbetet të shihet nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta pranojë.
“Është e pranueshme si një platformë e mirë për të ecur përpara në procesin e dialogut sepse ka disa çështje që ende duhet të sqarohen dhe që kanë të bëjnë me planin e zbatimit të atij propozimi që do të duhet të negociohet në Bruksel”, tha shefja e shtetit.
“Sigurisht që ka edhe shumë pikëpyetje dhe marrëveshje me garanci ndërkombëtare që u duhen të dyve, kur bëhet fjalë për qëndrimet e tij ndërkombëtare. Për shembull, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, kështu që ne ende duhet t’i shqyrtojmë ato çështje, por në parim, është një bazë e mirë për diskutime të mëtejshme në Bruksel”./Reporteri.net/