×
  • Lajme
  • Lajme

    Plotësohet katërshja e kryetarëve të komunave veriore, roli i tyre përcillet me skepticizëm

    Reporteri
    25 Maj 2023 | 22:16

    Autor: Erolinda Gashi


    Pothuajse një javë pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, sot dhanë betimin edhe tre kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndonëse kishte shqetësime të shprehura mbi rrjedhën e këtij zhvillimi, gjithçka u raportua të ketë shkuar qetë.

    Një ditë më parë edhe Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për betimin e tre kryetarëve të rijnë në komunat veriore të Kosovës.

    Edhe Policia e Kosovës bëri të ditur se kishte një plan operativ dhe nuk priste incidente.

    Ndërsa EULEX-i një ditë para betimit tha se është në gatishmëri dhe pret që situata të shkojë ashtu siç ka shkuar gjatë betimit të kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut.

    Në ora 10:00 të ditës së enjte u betua Izmir Zeqiri, kryetari i ri i Zubin Potokut, në zyret komunale në fshatin Çabër.

    Në të njëjtën kohë dha betimin edhe kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci, në shkollën e fshatit Boletin.

    Zeqiri tha se detyrën do ta kryejë me përkushtim dhe se do të punojë për të gjithë, pa dallim.

    “Uroj që të jemi bashkë në punët dhe përgjegjësit tona, të jemi sa më të fokusuar që të zbatojmë ligjin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e komunës së Zubin Potokut. Faleminderit për besimin. Atë do të ua kthejmë me punë deri në fund”, tha ndër të tjera ai.

    Tri orë më pas u betua edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në një zyrë të ngjashme në fshatin Bistricë.

    Akterë ndërkombëtarë e vendorë skeptikë ndaj kompetencave të katërshes

    Skeptik se kryetarët e rinj të komunave mund të bëjnë ndryshime të mëdha, është shprehur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Kjo sepse, siç thotë ai, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ishte shumë e vogël.

    Si rezultat, siç ka deklaruar ambasadori amerikan, kryetarët nuk duhet të besojnë se mund të bëjnë ndryshime të mëdha.

    “Njerëzit më pyesin shumë për këtë: teknikë vs. politikë, por çka dëshiroja të them – gjithashtu mund ta themi politikë vs. administrativë – por çka dëshiroja të them dhe çka ende dëshiroj të them është: mendoj se asnjë nga kryetarët nuk duhet të besojë, me një numër i vogël i votuesve me të drejtë vote ka votuar, në njërën ose mënyrën tjetër, se ata kanë mandat të bëjnë ndryshime të mëdha, se kanë mandat të ndërmarrin një numër nismash, në veçanti nisma që do të ishin shqetësuese për një pjese të një komuniteti”, deklaroi Hovenier në një intervistë për RTV 21 një ditë para betimit të kryetarëve.

    Tutje, Hovenier tha se pavarësisht a teknikë apo politikë, me rëndësi është që t’u shërbejnë qytetarëve dhe t’u ikin tensioneve.

    Por, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri tha se përkundër që po quhet rol politik, kjo do të varet nga aftësia se sa e ushtrojnë mundësinë.

    Sipas Hazirit, kryetarët e rinj do t’i kenë “duart e lidhura” në detyrat e tyre për shkak të situatës politike, derisa shtoi se puna e tyre kryesisht do të jetë menaxhuese.

    “Përkundër që kryetarët e zgjedhur kanë mandat, po quhet teknik nga partnerët, por do të varet nga aftësia se sa e ushtrojnë mundësinë. Pak kanë mundësi të punojnë. Ata janë kujdestarë politikë, ka pasur nevojë jo vetëm për të kënaqur Kushtetutën, por për t’u kujdesur për asetet dhe të një lloj rregullshmërie. Autoriteti më i lartë është kryetari i komunës. S’ka nevojë për shumë staf le të themi, pasi punë do të ketë shumë pak”, deklaroi Haziri në KTV.

    Sipas tij, menaxhimi politik i komunave në veri është më i tensionuar për shkak të moszbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e kjo siç tha ai, duhet të mbikeqyrët edhe nga shtetet e QUINT-it.

    “Kjo është çështje, meqë s’ka dakordim për të implementuar marrëveshjen, ka mjegull politike që ndërmjetësit duhet ta sqarojnë. (Kryetarët) duhet të ushtrojnë detyrën sikur të kenë të shkojnë deri në fund të mandatit. I kanë duart e lidhura të punojnë, e duhet të dinë që nëse pretendojnë të hapin Urën e Ibrit, bëhen burim i krizave të reja”, theksoi Haziri.

    Betimin e kryetarëve të rinj e komentoi edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj.

    Ai tha se figurativisht mund të shihet si progres zgjedhja e kryetarëve të rinj mirëpo kjo mund të sjellë pasoja.

    “Figurativisht do të shihej si dinamikë progresi, por kushtimisht do të ketë pasoja, gjithë kjo që është leju të zhvillohet në këtë formë, që ka ndodhë nga targat dhe roli i qeverisë dhe demagogjia që është përdor për dëshirë patriotizmi, pa i dëgjuar ndërkombëtarët, atëherë obligimi binte mbi ta për ta zbatuar ligjin”, ka thënë ai në RTV Dukagjini, përcjell Reporteri.net.

    Tutje ai tha se për zgjedhjen e kryetarëve të rinj në veri, nuk mjafton vetëm çështja teknike apo legale, por duhet të ketë rol të rëndësishëm edhe pjesa politike e popullore.

    Dikush i uron, dikush tjetër i qorton

    Urime për kryetarët e rinj nga radhët e PDK-së, Ilir Peci në komunën e Zveçanit dhe Izmir Zeqiri në Zubin Potok shprehu kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Lideri opozitar cili tha se ky është një lajm i mirë pasi që vullneti qytetar i shprehur më 23 prill u jetësua.

    Ndërkaq betimit të kryetarëve të sapo zgjedhur në veri të vendit, nuk iu gëzua Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se është zyrtarizuar pushtimi i katër komunave.

    Në një reagim publik, ai ka thënë se “okupimi nuk ka qenë kurrë një situatë e përhershme në histori, kështu që nuk do të jetë në katër komunat në veri të Kosovës dhe do të përfundojë së shpejti”.

    “Por populli serb do ta kujtojë më gjatë se pushtimin e Kurtit mënyrën e turpshme në të cilën fanarët e rremë të demokracive moderne kanë dhënë dritën jeshile për diçka të tillë”, thuhet në njoftim.

    (Mos)qasja në objektet komunale

    Edhe pas betimit, sfidë për kryetarët e rinj mbetet qasja në objektet komunale.

    Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, tha se detyrën do ta kryejë në fshatin Bsitricë.

    Edhe kryetari i Zveçanit tha se detyrën do ta kryejë nga objekti i zyrës së komuniteteve që gjendet në fshatin Lipë, teksa shtoi se nuk di kur do të ketë qasje në objektin kryesor të komunës, që shfrytëzohet nga strukturat paralele serbe.

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha se të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti i tij.

    “Uroj që të jemi bashkë në punët dhe përgjegjësit tona, të jemi sa më të fokusuar që të zbatojmë ligjin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e komunës së Zubin Potokut. Faleminderit për besimin. Atë do të ua kthejmë me punë deri në fund”, tha ndër të tjera ai.

    “Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti im”, tha ai pas betimit.

    I vetmi nga të katër kryetarët që u betua në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq.

    Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan, dhe Leposaviq u mbajtën më 23 prill.

    Zgjedhjet u vlerësuan me pjesëmarrje të ulët.

    Komunat veriore mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!