×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimet

    “Po degradohet familja”, katër komuna ndalojnë përdorimin e doracakëve për edukim seksual në shkolla

    Reporteri
    15 Nëntor 2024 | 8:36

    Katër komuna kanë thënë se do të ndalojë përdorimin në shkolla të Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ për nivelet 1-5, 6-9 dhe 10-12, shkruan Reporteri.net.

    Gjatë ditës së djeshme, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ndaluar përdorimin e Doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Prishtinës, pas reagimeve të shumta për përmbajtjen e tyre.

    Për këtë ka njoftuar Nënkryetarja e Prishtinës, njëherit Drejtoresha për Arsim, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila u ka bërë thirrje edhe komunave të tjera që të marrin një vendim të tillë.

    Sipas saj, përmbajtja në këta doracakë është edhe abuzuese me fëmijët.

    “Është e paprecedentë, se si ky pushtet po keqtrajton familjen kosovare. Është skandaloze se si Ministrja në pushtet, në krye të të vetmit institucion përgjegjës për tekstet mësimore, ka aprovuar dhe ka promovuar material me përmbajtje perverse. Këto tekste në vend se të plasonin njohuri e diskutim bazik për edukimin seksual, kanë paraparë aktivitete në praktikë- prekje me fëmijë nën moshën adekuate. Kjo përmbajtje është jo vetëm e dëmshme, por edhe abuzuese me fëmijët”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

    Postimi i saj është shpërndarë edhe nga kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se e mbështet këtë vendim.

    Pas Prishtinës, një vendim të tillë e mori edhe Komuna e Skënderajt.

    Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Komuna e Skenderajt.

    “Drejtoria e Arsimit e Komunës së Skenderajt, ka marrë sot vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” 1-5, 6-9, 10-12, në të gjitha shkollat e komunës. Drejtori për Arsim, Kastriot Duraku, ka thënë se arsyeja e këtij vendimi, i cili është marrë në mirëkuptim dhe bashkëpunim edhe me mësimdhënës, ka të bëjë me degradimin e familjes kosovare nga ana e institucioneve përgjegjëse, dhe si i tillë nuk do të përdoret në asnjë institucion arsimor në komunën e Skenderajt deri në revidimin e tij”, thuhet në njoftim.

    Vendim për ndalimin e përdorimit të këtij doracaku në shkolla mori edhe komuna e Fushë Kosovës.

    Në reagimin e Komunës thuhet se përmbajtja në këta doracakë është e dëmshme dhe abuzuese me fëmijët.

    “Përfaqësuesit e Komunës së Fushë Kosovës nga Drejtoria e Arsimit edhe gjatë diskutimeve me MASHT lidhur me këtë temë kanë shprehur shqetësimin për përmbajtjen e udhëzimeve ku janë paraparë aktivitete në praktikë – prekje me fëmijë nën moshën adekuate.

    Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk ka marr për bazë vërejtjet dhe shqetësimet e arsyeshme të shprehura nga zyrtarët kompetent të fushës së arsimit e përfaqësuesve të prindërve dhe përmbajta si e tillë e miratuar nga MASHT është e dëmshme dhe e papranueshme”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Një vendim i tillë u paralajmërua se do të merret sot edhe nga Komuna e Vitisë.

    Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare në Facebook kanë bërë të ditur se do të rishikohen doracakët në lidhje me edukatën seksuale.

    Në lidhje me debatin e ditëve të fundit, MASHT-i ka njoftuar se “s’ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual”./Rerporteri.net/

    MASHT-i: S’ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual, do të rishikohen doracakët dhe materialet tjera

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!