Një zyrtare policore dyshohet se është plagosur aksidentalisht nga kolegu i saj brenda stacionit policor ‘Jugu’ në Prishtinë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Inspektorati Policor ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me rastin, teksa është suspenduar zyrtari policor i dyshuar.
Policja e plagosur është dërguar në spital për tretman mjekësor, pas plagëve që mori në këmbë.
“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar”, thuhet në njoftim.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Naser Syla, Drejtor i Emergjencës në QKUK ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se një zyrtare policore është pranuar për trajtim në këtë klinikë. Ai tha se pas trajtimit, pacientja është transferuar për në klinikën e ortopedisë. /Reporteri.net/