Dy persona janë kapur në flagrancë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pasi të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale “Ushtrim të ndikimit”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Dyshimet janë se ata kanë pranuar para në emër të zyrtarëve të një ministrie nga dy persona të tjerë. Atyre u kanë premtuar se do t’i fusnin në listën e përfituesve të granteve, për një thirrje të hapur në po atë ministri.
“Lidhur me rastin dy personat e dyshuar janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të lartcekur, përderisa të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren me autorizimin e prokurorit kompetent”, thuhet në njoftimin e policisë. /Reporteri.net/.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, me datë 16.01.2023, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ”Ushtrim i ndikimit” neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me ç ‘rast dy persona të dyshuar janë arrestuar.
Dyshohet se të njëjtit kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të një ministrie të RKS-së, me premtimin se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në atë ministri.
Lidhur me rastin dy personat e dyshuar janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të lartcekur, përderisa të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren me autorizimin e prokurorit kompetent.