Një numër i shtuar i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është vërejtur mëngjesin e sotëm pranë Klinikës Infektive të QKUK-së.
Në vendin e ngjarjes mund të vërehet se Policia ka bllokuar hyrjet për në Infektivë.
Kjo për arsye se dyshohet se që nga mesnata, katër persona të prekur me koronavirus kanë humbur jetën.
Ekipet e Mjekësisë Ligjore janë parë pranë Infektivës duke bartur katër kufoma në raste të ndara.
Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me zëdhënësen e Prokurorisë, Laureta Ulaj, por ajo ka thënë se ende nuk është në dijeni dhe se po presin nga prokurori që t’i njoftojë lidhur me rastin.
Kujtojmë se vetëm dje (04.07.2020), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë regjistruar 178 raste të reja me Covid-19. Po ashtu gjatë ditës së djeshme kanë ndërruar jetë 8 persona të prekur nga ky virus. /Reporteri.net/