×
  • Lajme
  • Lajme / Veri

    Policia del me detaje për arrestimin e një serbi në Bërnjak: Dyshohet për disa vepra penale, mes tyre edhe për vrasje të rëndë në tentativë

    Reporteri
    13 Prill 2024 | 20:25

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin në Bërnjak të një serbi që ishte në kërkim policor, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    S.S dyshohet për disa vepra penale: ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ‘sulm ndaj personit zyrtar’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’, ‘thirrje për rezistencë, pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, asgjësim apo dëmtim i pronës’ etj, të cilat dyshohet se i ka kryer gjatë vitit 2021.

    Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    “Sot me datën 13.04.2024 në Bërnjak, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar (S. S. viti i lindjes1985), me vendbanim në Zveçan të Republikës së Kosovës. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar nga Policia e Kosovës, është i dyshuar për disa vepra penale si: ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ‘sulm ndaj personit zyrtar’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’, ‘thirrje për rezistencë, pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, asgjësim apo dëmtim i pronës’ etj, të cilat dyshohet se i ka kryer gjatë vitit 2021.

    Këto veprime të dyshimta kriminale nuk janë protesta paqësore siç pretendohet e raportohet gabimisht.

    Të gjitha veprimet janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, me autorizim të së cilës të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

    Policia vazhdon të zbatojë ligjin dhe të ofrojë mbrojtje e siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

    Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe ka reaguar ndaj këtij arrestimi, duke e quajtur atë “vazhdimësi të terrorit të regjimit në Prishtinë ndaj popullit serb”.

    Lista Serbe thotë se Sofroniijeviq ishte plagosur nga Policia e Kosovës më 13 tetor 2021.“Kujtojmë se z. Sofronijeviq u qëllua në shpinë dhe u plagos rëndë nga policia Kurti më 13 tetor 2021, në afërsi të shtëpisë së tij familjare, teksa po përpiqej të strehonte dhe të mbronte një fëmijë nga zjarri i shpërthimit të forcave speciale të Kurtit” – ka shkruar LS në “Facebook”. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!