×
  • Lajme
  • Lajme / Arratisja për herë të nëntë dhe të fundit

    Policia e Kosovës arreston një të dyshuar për rastin e arratisjes së Faton Hajrizit nga burgu i Smrekonicës

    Reporteri
    20 Korrik 2024 | 22:29

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot ka intervistuar një person, i cili dyshohet se e ka ndihmuar Faton Hajrizin të arratiset nga burgu i Smrekonicës, rreth dy javë më parë.

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se intervistimi i tij është bërë sot dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

    “Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime në lidhje me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

    Në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me datë 20.07.2024 është ftuar për intervistim një person mashkull kosovar, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.

    Për të gjitha veprimet hetimore është konsultuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Reporteri.net.

    Faton Hajrizi kishte një historik të gjatë arratisjesh nga burgu.

    Për herën e nëntë dhe të fundit, ai u arratis, më 6 korrik derisa ndodhej në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi dhe u vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe të premten, më 19 korrik.

    Pas rreth 40 orësh kërkimesh, Faton Hajrizi të premten është lokalizuar dhe vrarë nga policia serbe.

    Pas vrasjes së tij mediat serbe kanë dhënë disa versione se si u lokalizua Hajrizi. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se ai i rezistoi arrestimit duke shkrepur 9 plumba në drejtim të policisë serbe.

    Vrasja e Faton Hajrizit, versionet se si u lokalizua dhe u vra në Serbi

    Në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka ngritur dyshime nëse Faton Hajrizi është vrarë apo jo.

    Haxhiu ka bërë thirrje që të ketë hetim të thellë për vrasjen e dyshuar të Faton Hajrizit, ndërsa u shpreh se hetim duhet të ketë edhe për aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë.

    “Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”, ka shkruar Haxhiu.

    Ndërkaq, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se trupi i Faton Hajrizit, të vrarë nga policia serbe duhet të kthehet sa më shpejt në Kosovë.

    Gërvalla për Klan Kosovën tha se të gjitha çështjet për rastin e Faton Hajrizit i kanë adresuar edhe tek partnerët ndërkombëtarë.

    “Kemi adresuar të gjitha temat edhe tek partnerët ndërkombëtarë sepse së paku trupi i qytetarit tonë do të duhej të kthehej sa më shpejt në Kosovë, do të duhej t’i kthehej familjes. “Zyra Ndërlidhëse i ka kontaktuar institucionet në Serbi dhe sapo kemi një konfirmim të saktë të informacioneve, ne do ta ndajmë me publikun”, tha Gërvalla./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!