Gjatë ditës së shtunë u raportua për një rast të dhunës seksuale në shkollën fillore ‘Faik Konica’ në Prishtinë, ku u publikua edhe një video me pamje të rënda.
Në videon e publikuar shihet një fëmijë, për të cilin thuhet se është në klasën e shtatë, teksa i afrohet një nxënësje të klasës së parë, shkruan Reporteri.net.
Në video është i përfshirë edhe një tjetër fëmijë, i cili e mban vajzën e vogël.
Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, ka thënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se rasti është duke u trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Prokurori i Shtetit.
“Nga zyrtarët e shkollës kemi pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit. Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, ka thënë ai për Reporterin.
Për këtë rast është deklaruar edhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala.
Shala ka thënë se rasti ka ndodhur jashtë procesit mësimor kur shkolla sipas saj nuk është përgjegjëse.
Sipas saj, nuk ka ngjarje të sulmit seksual dhe se e tëra është një ‘lojë fëmijësh’.
“Ngjarja ka ndodhur të shtunën, rastin e ka trajtuar shkolla. Të shtunën fëmijët kanë qenë duke luajtur në oborrin e shkollës. Unë s’kam pa ndonjë inçizim. Sipas drejtorisë nuk ka të bëjë as me sulm seksual, as me kurgjo. Nuk është ditë e mësimit, por është ditë e shtunë”, ka thënë drejtoresha e DKA-së Shala.
“Shkolla ………….. është e hapur në të gjitha anët dhe gjatë vikendit përgjegjësia mbetet te prindërit dhe jo te shkolla. Nuk është kurrkush në shkollë dhe s’ka si me qenë përgjegjëse. Shkolla i ka marrë masat që i ka të përcaktuara me ligj, e ka thirr policinë e komunitetit dhe prindin dhe pasi e ka marrë informatën në mënyrë anonime e ka trajtuar rastin. Nuk kam kompetencë me dhënë këtë informatë [në pyetjen se a janë nxënës të shkollës]. Rasti është trajtuar edhe me psikologun e shkollës, janë marrë të gjitha masat edhe pse ngjarja ka ndodhur jashtë orarit të mësimit dhe në ditë të vikendit. Në jemi në proces edhe pse kemi pasur kundërshtime nga banorët për mbylljen e oborrit të shkollës pikërisht për shkak të kësaj ngjarjeje. Është joligjore me bullirat fëmijën tash dhe ju me publikim mund ta dërgoni fëmijën në vetëvrasje”, është deklaruar Shala për kallxo.com /Reporteri.net