×
Intervista

Politologu boshnjak: BE’ja e ka ndihmuar artificialisht fuqizimin e qëndrimeve obstruksioniste dhe ushtarake të Serbisë

Autor:Xhezair Dashi
04 Janar 2023 | 13:37

Një studiues i ngjarjeve, i përqendruar në tablon e përgjithshme që i korrespondon lëmisë së tij: Ballkani Perëndimor dhe demokratizimi i tij. Jasmin Mujanoviç, autori dhe studiuesi i çështjeve politike rajonale nga Sarajeva në një intervistë për gazetën online Reporteri.net, tregon vështrimet e tij mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.

Mujanoviç shpalos një numër vëzhgimesh të tij për Dialogun e Fascilituar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qasjen e Washingtonit dhe Brukselit në raport me ngjarjet në Ballkan, qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit ndaj Asociacionit, boshllëkun ndërmjet Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës e deri te platforma rajonale e Ballkanit të Hapur.

Bashkimi Evropian me formatin aktual të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë “e ka ndihmuar artificialisht fuqizimin e qëndrimeve obstruksioniste dhe (ditë e më shumë) ushtarake të Serbisë”, thotë Jasmin Mujanoviç.

Këtë e ka bërë përmes mosnjohjes së vazhdueshme të Kosovës nga pesë shtetet anëtare të saj, beson ai, dhe madje edhe me vendosjen e shefit të diplomacisë dhe emisarit për dialog nga dy vende mosnjohëse, përkatësisht Josep Borrellin dhe Miroslav Lajçakun.

“Që të dyja këto janë gabime në gjykim dhe keqllogaritje strategjike”, thotë ai.

Në lidhje me insistimin amerikan për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Mujanoviç thotë se një format i tillë etno-territorial “vetëm se e përkeqëson problemin që pretendon ta zgjidh”.

“Se pse ndonjë administratë do ta shihte dikë si Milorad Dodiku, aktualisht nën sanksione të ShBA-së dhe MB-së, dhe të mendonte ‘në rregull, na duhet një diçka e tillë në Kosovë’, kjo është përtej meje”.

Mujanoviç e merr të mirëqenë se një Asociacion i tillë në Kosovë do t’i ngjasonte asaj në Bosnje-Hercegovinë. “Obsesioni me kombinim e identiteteve etnike me pretendime territoriale, është veçse model për konflikte të mëtejme”, thotë ai në intervistën dhënë për gazetën online Reporteri.net.

“Na duhet vetëm të shohim Bosnje-Hercegovinën për të parë rezultatet afatgjate të këtyre aranzhimeve etno-territoriale”, beson Mujanoviç.

Mosmiratimin nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndaj këtij Asociacioni studiuesi sarajevas e sheh në dy mënyra; si të vështirë dhe shpresdhënëse.

“Është një hap strategjikisht i rrezikshëm. Por, nëse ia del të mbahet, mund të jetë potencialisht transformues për të ardhmen e Kosovës por edhe për diplomacinë perëndimore për rajonin në tërësi”.

Këtë qasje të Kurtit, Mujanoviç thotë se “shumë njerëz në Sarajevë dhe Podgoricë po e vështrojnë me interesim”.

Intervista e plotë me Jasmin Mujanoviç:

Reporteri.net: Të nisim me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është bërë tanimë kohë e gjatë që kur procesi i BE’së që paramendohet të normalizojë marrëdhëniet mes tyre thjesht ka replikuar kriza ose sjellur forma të reja krizash. Kryesisht për shkak se Serbia e mirëmban të mbërthyer veriun e Kosovës, derisa Kosova statusin e saj e konsideron gjë të kryer dhe këtë proces të bisedimeve nuk e merr për gjë që ka të bëjë me statusin e saj. Çfarë i thoni ju këtyre pikënisjeve të ndryshme të palëve?

Mujanoviç: Problemi më i madh me formatin ekzistues të bisedimeve është se BE’ja e ka ndihmuar artificialisht fuqizimin e qëndrimeve obstruksioniste dhe (ditë e më shumë) ushtarake të Serbisë. Kjo ka ngjarë përmes mosnjohjes së vazhdueshme të sovranitetit të Kosovës nga pesë shtete të vetë BE’së, dhe përmes Brukselit duke vendosur shefin e politikës së jashtme dhe emisarin për dialogun Kosovë-Serbia nga dy vende mosnjohëse.

Që të dyja këto janë gabime në gjykim dhe keqllogaritje strategjike. Nëse BE e ka seriozisht zgjidhjen e kontestit, duhet të ndihmojë krijimin e barazisë mes Prishtinës dhe Beogradit dhe mënyra parësore për ta bërë këtë është të sigurojë njohjen e plotë të sovranitetit të Kosovës nga shtetet e veta. Kjo është një diçka që nuk kërkon input nga Beogradi, Moska ose Pekini, dhe është pastërtisht çështje e vullnetit politik nga kryeqytetet respektive.

Reporteri.net: Presidenti i Serbisë tërhoqi serbët nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe është zotuar për moskthimin e tyre deri në formimin e Asociacionit të shumëkontestuar të Komunave me shumicë serbe. Ky Asociacion e ka përkrahjen e ShBA’së. A shihni arsye që ky Asociacion të formohet?

Mujanoviç: Nuk shoh dhe pozicionin e ShBA’së e shoh veçanërisht të pakuptueshëm. Diplomacia amerikane në pjesën më të madhe të pasluftës është dominuar prej dy krizave pothuajse konstante: Ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kërcënimet a pandalshme për shkëputje nga nacionalistët serbë në Bosnje-Hercegovinë. Siç edhe vetë Richard Holbrooke e pati kuptuar, ruajtja e Republika Srpska-s brenda parametrave të saj të luftës, ishte, mund të argumentohet, gabimi më i madh i Marrëveshjes origjinale të Dejtonit, dhe është një gabim që boshnjakët dhe njerëzit anembanë rajonit janë penduar me kohë. Se pse ndonjë administratë do ta shihte dikë si Milorad Dodiku, aktualisht nën sanksione të ShBA-së dhe MB-së, dhe të mendonte ‘në rregull, na duhet një diçka e tillë në Kosovë’, kjo është përtej meje. Modeli etno-territorial i cili mbetet ende matriksi i preferuar edhe i Uashingtonit edhe i BE’së për zgjidhjen e kontesteve në Ballkanin Perëndimor është rrugë pa krye. Ose, më saktë, vetëm se përkeqëson problemet të cilat pretendon t’i zgjidhë. Kështu që, jo, nuk mendoj se krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është rruga e duhur para për Kosovën, dhe mendoj se ShBA po gabon në këmbënguljen ndaj diçkaje, të cilën, qartazi, lidershipi i Prishtinës (me arsye) kurrë s’do ta pranojë.

Reporteri: Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, zoti Gabriel Escobar, e ka bërë të qartë pozicionin amerikan për këtë Asociacion. Do të jetë një urë për të kaluar mbi boshllëkun mes Qeverisë së Kosovës dhe pakicës serbe, e shpjegon ai. Çfarë thoni ju ndaj një mënyre të këtillë të të vështruarit të saj?

Mujanoviç: Zoti Escobar e ka gabim. Përsëri, na duhet vetëm të shohim Bosnje-Hercegovinën për të parë rezultatet afatgjate të këtyre aranzhimeve etno-territoriale. Këto janë zgjidhje të shekullit të nëntëmbëdhjetë për probleme të shekullit njëzet e një. Obsesioni me kombinim e identiteteve etnike me pretendime territoriale, është veçse model për konflikte të mëtejme. Ajo çfarë u duhen serbëve të Kosovës, sikur boshnjakëve të Kosovës, minoritetit rome dhe tjerëve janë mbrojtje kushtetuese për ushtrim të lirë të besimit të tyre, zakonet kulturore, përdorimi i gjuhëve dhe shkrimeve të tyre respektive, dhe mundësinë për t’u organizuar lirshëm në parti dhe lëvizje politike për të përfaqësuar interesat e tyre brenda institucioneve relevante. Asnjëra nga këto, sidoqoftë, nuk kërkon të shkosh rrugëve të ndarjes territoriale (siç tregon incidentalisht kushtetuta malazeze).

Reporteri: Si e shihni insistimin e rreptë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që çështjen e Asociacionit ta mbajë larg tryeze?

Mujanoviç: Kryeministri Kurti është në pozitë të vështirë. Ai ka vendosur të ndjek politika parimore që janë popullore me qytetarët e tij, por, qartësisht, thellësisht jopopullore me partnerët kryesorë ndërkombëtar të Kosovës. Është një hap strategjikisht i rrezikshëm. Por, nëse ia del të mbahet, potencialisht mund të jetë transformuese për të ardhmen e Kosovës, por edhe për diplomacinë perëndimore në rajon si tërësi. Njoh shumë njerëz në Sarajevë dhe Podgoricë, veçanërisht, që manovrat i tij po i shohin me interesim.

Reporteri: Gjithnjë e më shumë tani dëgjojmë nga administrata amerikane për perspektivën e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë rajonale. A do të thotë kjo se SHBA-të kanë hequr dorë nga shpresa se është e mundur një marrëveshje dypalëshe Kosovë-Serbi?

Mujanoviç: ShBA që nga fundi i viteve të Obamës ka ndjekur një politikë gjithnjë e më “rajonale” ndaj të gjithë Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë, ka ndjekur ato që mendon se janë zgjidhje pragmatike, të cilat theksojnë mundësitë ekonomike dhe sociale mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të rrënjosura politike. I gjithë koncepti i “Ballkanit të Hapur” është, në thelb, ajo politikë me pak fjalë. Nuk do të theksojmë, të themi, aktivitetet malinje të Beogradit në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë apo Mal të Zi, por ne do të theksojmë përfitimet ekonomike të garantimit të lirisë së lëvizjes midis Gjashtës së Ballkanit Perëndimor. Kjo është një politikë e përkryer për t’u ndjekur në teori, por, padyshim, në praktikë nuk funksionon. Dhe sa më shumë që ShBA-ja ka insistuar në këtë qasje, veçanërisht nën këtë administratë aktuale, aq më shumë është dukur e shkëputur nga shqetësimet dhe apelet e bashkëbiseduesve të saj tradicionalë në rajon. Ne e shohim në Kosovë, e kemi parë në Bosnje dhe Hercegovinë në lidhje me ndryshimet e fundit të diskutueshme të ligjit zgjedhor nga Christian Schmidt, e kemi parë në Mal të Zi me qeverinë(të) e Abazovicit etj. Nuk është politikë që do të ketë sukses, por pyetja është se sa dëm do të bëhet përpara se kjo ose ndonjë administratë e ardhshme amerikane të jetë e gatshme të pranojë aq shumë.

Reporteri: Nga ana tjetër, ekziston edhe një hendek i madh ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, për arsye që kjo e fundit, kryesisht për shkak të entitetit të saj serb, refuzon ta njohë atë. Pse është kështu?

Mujanoviç: Dua të them, mendoj se kjo është mjaft e qartë. Qeveria në Banja Llukë është e përbërë nga ultranacionalistë, secesionistë dhe mohues të gjenocidit, të cilët nuk e pranojnë sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, e lëre më atë të Kosovës. Kosovarët janë, kuptohet, të frustruar nga mosnjohja e Sarajevës, por ndjenja ime është se ka pasur njohje në rritje të realiteteve politike të situatës. Dhe, më e rëndësishmja, që barrierat ekzistuese politike brenda Bosnjë-Hercegovinës nuk duhet të kufizojnë takimet diplomatike “track two” ndërmjet liderëve boshnjakë pro-kosovarë dhe homologëve të tyre në Prishtinë. Roli i diasporës përkatëse ka qenë gjithashtu i rëndësishëm në këtë drejtim dhe shpresoj se do të vazhdojmë të shohim një bashkëpunim më të madh ndërmjet të gjitha segmenteve të shoqërisë boshnjake dhe kosovare (si edhe ajo e Malit të Zi).

Reporteri: Entiteti i saj serb, kemi dëgjuar nga politikanët e tyre, nuk do të pajtohet as me udhëtimin pa viza siç është rënë dakord në Procesin e Berlinit. Çfarë mund të bëhet për ta ndryshuar këtë, në mënyrë që qytetarët të gëzojnë të drejta elementare si udhëtimi i lirë?

Mujanoviç: Pavarësisht kërcënimeve të tyre të shpeshta, Banja Luka ka kapacitete të kufizuara për të penguar funksionimin aktual të disa proceseve kyçe politike në Bosnje dhe Hercegovinë. Si Sarajeva ashtu edhe Prishtina kanë nënshkruar marrëveshjen e Procesit të Berlinit lidhur me liberalizimin e vizave, kështu që entiteti i RS nuk mund të pengojë në fakt qytetarët kosovarë që të hyjnë në vend. Natyrisht, Dodik ka njerëzit e tij brenda policisë së shtetit dhe kufirit, të cilët janë, teorikisht, të aftë të krijojnë probleme për turistët individualë dhe të ngjashme, por nuk mendoj se ky do të jetë një problem i madh pasi këto marrëveshje të hyjnë në fuqi.

Reporteri: Lidhur me nismën rajonale të Open Ballkans, çfarë konsideroni të jetë e ardhmja e saj dhe çfarë ka sjellë deri tani?

Mujanoviç: Me gjithë retorikën rreth “Ballkanit të Hapur”, nuk jam i sigurt nëse ka pasur një arritje të vetme aktuale në meritë të saj që mund të citonte kushdo përveç atyre që janë më të përfshirë. Mjafton të thuhet se ka arsye pse Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova nuk janë nënshkruar në këtë bllok dhe as nuk do të nënshkruhen së shpejti. Unë dyshoj se si shumica e përpjekjeve për të anashkaluar çështjet thelbësore politike, “Ballkani i Hapur” përfundimisht do të dështojë. Unë kam mjaftueshëm vite, për shembull, për të kujtuar të gjithë epokën e “pronësisë lokale” të politikës perëndimore në rajon, më pas gjënë e “lidhjes”, pastaj ishte “marrëveshja e re e gjelbër” e kështu me radhë. Në Bosnje dhe Hercegovinë kemi pasur gjithashtu “Iniciativën Britaniko-Gjermane”, mes një morie përpjekjesh të ngjashme. Të gjitha këto janë përpjekje në thelb teknokratike për zgjidhjen e çështjeve politike, dhe kjo nuk funksionon kurrë. Pra, unë mendoj se “Ballkani i Hapur” nuk ka gjasa të zjgasë deri më 2025, e aq më pak gjer më 2030. Kjo nuk është sepse është një ide thelbësisht e keqe, është një koncept i mirë. Por është një koncept që e vendos karrocën përpara kalit dhe kjo nuk është mënyra për të dalë në treg.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!