Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të mos e lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Në një postim në rrjetin social X, Rama e cilësoi këtë vendim si një “poshtërim të ri” dhe kritikoi ashpër Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shndërrimin e drejtësisë ndërkombëtare në një farsë.
“Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”, shkroi Rama.
A new low from a shameful and shameless tribunal that has turned international justice into a charade, democratic rights into empty words, and the goodwill of the Kosovo Parliament into the most brutal of boomerangs! pic.twitter.com/yfzQt2Vw9t
— Edi Rama (@ediramaal) March 17, 2025
Gjykata Speciale nuk ka lejuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), e cila ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe thellësisht të papranueshëm.
“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore.” – thuhet mes tjerash në reagim.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur revoltën thellë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, duke e konsideruar atë si një shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut dhe një akt të qëllimshëm për të degraduar figurën e ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.”