E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, në takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet SHBA-së dhe Prokurorisë Speciale.

“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, për të diskutuar vazhdimin e bashkëpunimit tonë të suksesshëm me PSRK-në”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Në fokus të diskutimit kanë qenë edhe përpjekjet për të luftuar kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, përfshirë terrorizmin, kontrabandën e drogës dhe migrantëve, krimet kibernetike dhe organizatat kriminale transnacionale.

Ambasada amerikane ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në adresimin e këtyre sfidave.