Prej Orës së Veton Surroit e deri te NISMA e Fatmir Limajt – këto janë partitë që ia pa sherrin pragut zgjedhor

Në zgjedhjet e 6 tetorit përveç fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, si një prej gjërave më të diskutuara ka qenë edhe çështja e pragut zgjedhor. Madje me punën e kapërcimit të pragut prej 5 %, në rrjete sociale është bërë gallatë e madhe. Por cila është historia e vendosjes së pragut zgjedhor prej pesë (5) për qind, me propozim të kujt ishte vendosur , kush ishte viktima e parë dhe kush mbeti jashtë parlamentit ndër vite.


Pragu zgjedhor prej 5 % për herë të parë në Kosovë ishte praktikuar në zgjedhjet e vitit 2007. Një prag me një përqindje aq të lartë ishte propozuar në vitin 2006, atë botë nga kreu i Partisë Reformiste “Ora” , Veton Surroi.

Ky propozim kishte ardhur pas një interviste që kishte dhënë, Ylli Hoxha, për Gazetën Express, bashkëpartiak i Surroit.

Hoxha në vitin 2006 në cilësinë e zëdhënësit të partisë, kishte thënë se pragu zgjedhor duhet të jetë diku rreth 2 apo 2.5 %, ndërkohë Gazeta Express si titull të asaj interviste kishte vendosur që “ “Ora” i frikësohet pragut zgjedhor”.

Një gjë e kishte shtyrë Surroin që të bënte propozimin e pragut prej 5 %, duke befasuar kështu edhe partitë e mëdha, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe PDK’në, të cilat gjithashtu ishin të mendimit që pragu të jetë diku rreth 3 përqindëshit.

Menjëherë në zgjedhjet e 2007-ës, Surroi kishte qenë i pari që kishte shijuar “ilaçin e tij”.

Në ato zgjedhje partia “Ora” nuk kishte arritur që të kapërcente pragun prej 5% , dhe kishte mbetur jashtë Kuvendit me vetëm 4.2 për qind të votave, për dallim prej zgjedhjeve të 2004-ës kur kishte pasur 7 deputetë në Kuvend pasi kishte fituar 6.2 %.

Lidhur me këto zhvillime mes viteve 2004 dhe 2007, Gazeta Express ka kontaktuar ish-anëtaren e partisë “ORA”, Fatmire Mullhaxha-Kollçakun , e cila tashmë aktivitetin e saj politik e ushtron si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje së Albin Kurtit.

“ Po, pragu është ky që është, dhe s’ka çfarë të diskutohet. Mirëpo atë çfarë mund ta them për “ORA”në, se kanë qenë grupi parlamentar më aktiv në Kuvend të Republikës së Kosovës, jam zgjedh edhe si deputetja më e angazhuar. Dhe kjo ndodh në Kosovë, ata që janë angazhu, nuk kanë arritur me u rizgjedh prapë. Mendoj që duhet me u respektua, pragu është ky që është”, ka thënë Mullhaxha për Express.

E pyetur nëse ka qenë i gabuar propozimi i “ORA”-së për 5 %, Mullhaxha ka thënë se nuk ka qenë gabim pasi që “është një minimum që duhet të plotësohet”.

Ndërkohë ka kujtuar edhe një deklaratë të Veton Surroit të bërë atë kohë pas zgjedhjeve të 2007-ës se “E di që votat janë vjedhur, por se nuk mund ta provojë një gjë të tillë”.

Për ndryshimin e kalueshmërisë së pragut, Mullhaxha thotë se duhet të bëhet një debat më i gjerë publik.

Shijen e hidhur të pragut zgjedhor prej 5 % e kishte përjetuar edhe “Fryma e Re” e Shpend Ahmetit dhe Ilir Dedës. Përkundër popullaritetit të madh që kishin pasur kur e kishin krijuar partinë, FER në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 kishte marrë vetëm 2 % të votave. Pas këtij rezultati, kjo parti në mars të vitit 2011 ishte bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

Përveç “Orës” së Surroit e FER-it të Dedës e Ahmetit, si pasojë e pragut zgjedhor prej 5 për qind, jashtë Parlamentit të Kosovës kishte mbetur edhe fraksioni i shkëputur nga LDK, Lidhja Demokratike e Dardanisë që drejtohej nga akademiku, Nexhat Daci.

LDD’ja e Dacit në zgjedhjet e 2007-ës kishte arritur që ta kapërcejë pragun me rreth 11 % të votave që kishte marrë, megjithatë tri vjet më vonë në 2010-ën “kishte marrë në thua” dhe kishte mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës me vetëm 4 %.

Lidhur më këtë zhvillim të para 10 viteve, ish-sekretari i LDD’së, Lulzim Zeneli, thotë se ndoshta një vendim për 5 % ka qenë i drejtë për kohën kur është vendosur, por thotë se me këtë shpërndarje të votës që po shihet në rezultatet e zgjedhjeve, një përqindje aq e lartë e pragut duhet të diskutohet.

“Në fakt a ka qenë një vendim i drejtë, unë mendoj që prapë duhet me qenë për subjekte politike. Ndoshta për kandidat të pavarur, do të duhej një qasje tjetër me e apliku. Sepse e pamundëson kjo logjikë e pragut zgjedhor për subjekte politike, në një mënyrë me këtë definicion çfarë është i pamundëson iniciativat e lira”, ka thënë Zeneli për Gazetën Express.

Ai thotë që në vitin kur është diskutuar për pragun, LDK’ja i ka marrë rreth 45 % të votave dhe është synuar që pragu të jetë sa më i lartë.

“Është diskutua mjaft se a do të jetë në fillim kur është caktuar, 3 % apo 5 %. Tash kur të kthehemi në retrospektivë, sa a ka qenë i drejtë a s’ka qenë i drejtë, ndoshta të kohë ka qenë e drejtë. A ka nevojë me u diskutuar lartësia e pragut, ndoshta pasi që po e shohim se çdo ditë ka një shpërndarje të votave, se asnjë subjekt s’po i merr 30 %, atëherë automatikisht e sheh që duhet më u trajtuar. Përpara e ke pas një LDK që i ka marrë 45 %, ma ndryshe, dhe tendenca ka qenë që pragu me qenë sa më i lartë, tash është ma ndryshe. Për kohën ka qenë një vendim i drejtë, sepse kur është caktuar ka pasur pajtim të plotë, nuk ka pasur ndonjë subjekt që mëndu ndryshe”, ka shtuar ish-anëtari i LDD’së.

Ai thotë se në vitin 2006 vendosja e një pragu të tillë prej 5 % ishte vendosur me propozim të Veton Surroit dhe si rezultat i krenarisë së partive politike, se nuk frikësohen dhe se nuk e kanë problem që të jetë pragu mbase edhe 10 %.

“Krenaritë që i kanë pasur partitë politike, se për mu nuk është problem 5 % apo 10 %, edhe në këtë formë, apo nuk është, problem , dhe është vendos pa asnjë analizë paraprake”, ka potencuar Lulzim Zeneli.

E përvojë të njëjtë sikurse LDD’ja e Dacit duket që do të ketë edhe NISMA e Fatmir Limajt. Në zgjedhjet e para pasi ishte ndarë nga PDK’ja, në vitin 2014 partia e Limajt kishte arritur që ta kalonte pragun zgjedhor duke fituar 37 mijë e 680 vota apo vetëm 5.15 %. Në zgjedhjet e vitit 2017, NISMA u bë pjesë e qeverisë si pjesë e koalicionit me PDK’në dhe AAK’në, ndërkohë pas plotë 5 vitesh, partia e ish-komandant “Çelikut” rrezikon të mbetet jashtë parlamentit.

Kjo edhe përkundër faktit që është futur në koalicion me AKR’në e Behgjet Pacollit, parti e cila gjithashtu ia kishte parë sherrin pragut zgjedhor në zgjedhjet e 2014-ës, pasi kishte marrë vetëm 4.67 % apo 34 mijë e 170 vota.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 sipas rezultateve të deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, NISMA ka marrë vetëm 39 mijë 495 vota apo 4,96%, pamjaftueshëm për t’u bërë pjesë e Kuvendit.

Megjithatë pritet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim pozitiv për partinë e Limajt, për faktin se mbi 300 vendvotime janë duke u rinumëruar, për shkak të një gabimi teknik të KQZ’së që është bërë me formularët.