Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në takim, Presidenti Begaj është shprehur se Shqipëria i gëzohet sukseseve të Kosovës, dhe si e tillë do ta mbështesë gjithmonë në synimet e saj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Duke i uruar kryeministrit Kurti dhe popullit të Kosovës 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, presidenti Begaj u shpreh se Republika e Shqipërisë i gëzohet sukseseve të Kosovës dhe i qëndron pranë në synimet e saj”, bëhet e ditur në komunikatën e ZKM-së.
“15 vjet pas pavarësisë së Kosovës, Kosova dhe Shqipëria kanë gjithsej 171 marrëveshje, protokolle e memorandume në fusha si ajo e sigurisë, tregtisë, arsimit e kulturës. Vetëm në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive janë nënshkruar 41 marrëveshje, zbatimi i të cilave ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, bizneseve e më gjerë dhe ka zgjidhur problematika të mbartura ndër vite”, thuhet tutje.
Pikë diskutimi në këtë takim ka qenë edhe situata politike në Ballkanin Perëndimor si dhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Kryeministri Kurti e falënderoi presidentin Begaj për interesimin, angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të tij për Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj”.
Një takim Begaj pati edhe me homologen e tij, Presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Presidenti Begaj ka uruar Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë dhe ka theksuar se Shqipëria do të jetë vazhdimisht në krah të Kosovës duke kontribuUar në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të saj.
Ndërkaq Presidentja Osmani, ka theksuar se Kosova po e kremton 15-vjetorin e shtetësisë së saj në përballje me sfida, por e vendosur për të ecur përpara në forcimin e shtetit dhe e përkushtuar në rrugëtimin euroatlantik. /Reporteri.net/.
Begaj uron për 15-vjetorin e pavarësisë: Shqipëria do të jetë vazhdimisht në krah të Kosovës