Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për të folur në lidhje me aktin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Në këtë takim me Hovenierin, Osmani ka thënë se Serbia qartazi është e përfshirë drejtpërsëdrejti në sulmin terrorist, në një mënyrë ose tjetrën, shkruan Reporteri.net.
Tutje, ajo ka theksuar se shteti serb duhet të mbajë përgjegjësi duke kërkuar ndëshkim dhe vendosje të sanksioneve ndaj Serbisë.
“Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb. Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij”, njofton komunikata e Presidencës.
Osmani po ashtu ka falënderuar ShBA-të për mbështetjen në këtë periudhë tragjike për Kosovën.
“Presidentja, ndërkaq, ka falenderuar aleatët, në rradhë të parë SHBA-të, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës”.
Ambasadori Hovenier ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e rreshterit.
I pyetur nga gazetarja e gazetës online Reporteri.net se a e cilëson ShBA-ja si terrorist sulmin e së dielës mbi Policinë e Kosovës, Hovenier ka thënë se nuk mund të flasë shumë vetëm 48 orë pas sulmit por e cilësoi atë si një “sulm të rëndë dhe shumë serioz” ndaj Kosovës dhe popullit të saj.
“Mund të them që ky po që ishte sulm i rëndë kriminal ndaj Kosovës por SHBA vazhdon të bëj thirrje për vazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Hovenier. /Reporteri.net/.