Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se votimi i fshehtë lejohet por se duhet të ketë konsensus në mes të deputetëve për këtë procedurë të votimit.
Osmani para mediave, tha se në rast se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim se cilat janë pasojat juridike të moskonstituimit brenda afatit 30 ditësh, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Aktgjykimi i Kushtetueses ka krijuar hapësire për më shumë interpretime. Edhe pse jam vetë juriste, në cilësinë e presidentes ja lë vlerësimet juridike ekipit tim ligjor. Konstatimi i ekipit tim ligjor me të cilin unë pajtohem, është që në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë”, është shprehur Osmani në një deklarim për media pas ceremonisë së betimit të 18 kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në qoftë se nuk ka konsituim të Kuvendit shumë shpejt planifikoj ti drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim lidhur me atë se çka pas 30 ditës, duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh”, tha Osmani para mediave. /Reporteri.net/