×
  • Lajme
  • Lajme

    Norvegjezi koleksionon 1450 kartolina nga Kosova, rrëfen nga i erdhi ideja

    Reporteri
    15 Maj 2019 | 20:36

    Profesori norvegjez, Kenneth Andersen, tash e disa vjet mbledh kartolina me pamje të qyteteve të vjetra të Kosovës. Në koleksionin e tij numëron 1450 kartolina që i përkasin periudhës nga viti 1900 deri më 1999.


    Ai rrëfen se si zuri fill ideja e koleksionimit të kartolinave me imazhe të një vendi të vogël.

    “Babai im koleksiononte kartolina në Norvegji dhe qysh kur erdha në Kosovë, thashë me vete, a thua a ekziston këtu ndonjë kartolinë nga Kosova pasi që kurrë nuk kisha parë ndonjë. Dhe, kështu fillova të kërkoj në ankande online dhe gjeta shumë prej tyre. Vazhdoj të blej një apo dy për çdo muaj dhe kur e shikoj ankandin, shumicën prej tyre i kam, disa prej tyre janë shumë të shtrenjta, kështu që pres derisa t’iu ulet çmimi. Çmimi më i ulët i tyre ka qenë 20 apo 30 centë kurse më i larti mbi 100 euro. Por, shumica prej tyre sillen rreth çmimeve nga 1 deri në 10 euro ”, shprehet Andersen, raporton KTV.

    Qytetet tashmë kanë ndryshuar, e disa objekte që përmbajnë kartolinat, ai nuk i ka gjetur kur është kthyer në Kosovë. Një prej tyre është edhe kisha që dikur ndodhej në qendër të Prishtinës.

    “Kjo fotografi këtu paraqet pamjen e dy kartolinave që i kam unë. Këtu ndodhej një kishë katolike, përballë vendit ku ndodhet sot hotel “Grand”, brenda sheshit “Zahir Pajaziti”, ndërsa u rrëzua në vitin 1960. Qëllimi i kartolinave është që të dokumentojnë ndërtesat që nuk janë më, pra kartolinat kanë edhe një qëllim që të dokumentojnë të kaluarën, kohën që ka shkuar”, tha ai.

    Profesori norvegjez komenton arkitekturën e objekteve të pasqyruara në kartolinat që posedon.

    “Është shumë interesante t’i shohësh këto kartolina pasi që në disa prej tyre shihet edhe stili turk, veçmas në disa ndërtesa në Prizren, dhe po ashtu në Pejë. Në anën tjetër, e sheh edhe ndikimin austro-hungarez, si tek objekti ku gjendet tani Hotel ‘Union’ në Prishtinë, te hoteli ‘Jadran’ në Mitrovicë etj. Po ashtu, ka shumë ndërtesa brutale në shesh dhe shtëpi “shoebox” të ndërtuara gjatë kohës së Jugosllavisë. Aty e sheh edhe arkitekturën mesjetare të manastireve, xhamive dhe hamameve, pra përmes kartolinave shfaqet një arkitekturë e përzier”, shprehet Andersen.

    Andresen tregon për përmbajtjen e këtyre kartolinave dhe se nga kush i ka marrë ato.

    “Ka shumë mesazhe nga ushtarët, studentët, si: ‘Unë jam mirë në apartament’, ‘Mund të m’i dërgosh disa para’ dhe gjëra të tilla. Po ashtu nga diplomatë e turistë, ndërsa sot pashë një kartolinë që një adhuruese nga Prizreni i ka dërguar një aktoreje të famshme në Beograd dhe kjo letër ka qenë shume emocionuese për t’u lexuar. Këto kartolina reflektojnë mesazhet e përditshme, si sot Instagrami, Facebooku dhe Snapchati”, u shpreh ai.

    Ai planifikon që këto kartolina t’i përmbledhë në një ekspozitë dhe në libër. Duke qenë se shumë nga to janë dërguar jashtë Kosovës, ai e sheh si mundësi të mirë që ato të ekspozohen edhe në vende të tjera.

    Kenneth Andresen është profesor i medias në Norvegji. Pas luftës, ai ka shërbyer si zyrtar për informim në KFOR dhe qysh prej atëherë Kosovën e ka vizituar edhe pesëdhjetë herë të tjera me projekte të ndryshme dhe si ligjërues.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!