×
  • Lajme
  • Lajme

    Projekti “Kosova e Re” – Këta dy deputetë i thonë ministrit Lluka se mund të përfundojë në burg

    Reporteri
    17 Prill 2019 | 17:02

    Debat i nxehtë është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.


    Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se ndërtimi i këtij termocentrali është jetik për vendin pasi do të plotësojë nevojat për energji elektrike, deputetë të caktuar kanë shprehur brengën duke e quajtur një projekt të rrezikshëm dhe se po luhet me paranë publike.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se projekti i Termocentralit “Kosova e Re” do të hyjë në historinë e kontratave të Kosovës së pasluftës, si projekti ekonomik më i kriminalizuar që është nënshkruar ndonjëherë në Kosovë.

    Gjithashtu, Konjufca iu drejtua ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin llukës, duke i thënë se me këtë kontratë dikush mund të hyjë në burg.

    “Dy shkelje janë të mëdha, edhe ministër mos ma merr si për kërcënim këtë që po ta them. Merre si këshillë edhe si sugjerim. Po është rrezik me këtë kontratë dikush me përfundu në burg. Përnime e kom. Kështu që kujdes edhe pyeti ata dy ministra tu para teje, pse nuk e kanë nënshkruar këtë kontratë. Veç takohu me ta, me sinqeritet edhe pyeti pash besën pse nuk e keni pas guximin me qit nënshkrimin e juaj në këtë kontratë. Unë veç e kam për ty se do ministra shumë më të fortë se ti nuk kanë pas guxim me qit nënshkrimin, e unë po tutna mos je viktimë e mundesh më përfundu shumë keq”, tha Konjufca.

    Kurse deputeti Milaim Zeka nga NISMA tha se dyshon se është duke u bërë një lojë e madhe me paranë publike.

    “Andaj keni kujdes, se e tha Glauku (Konjufca) mundeni me ra në burg. Ti je djali i ri dhe e përballon, por ata që kanë bo kontrata si ajo e Ferronikelit që një ditë vjen një forcë politike që heton çdo kontratë nga paslufta e deri tani”, theksoi Zeka.

    Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor të vitit 2017 ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

    Sipas kësaj marrëveshjeje, ndërtimi i termocentrali do të ketë një bllok prej 500 megavatëve dhe do të kushtojë 1.3 miliard euro.

    ContourGlobal do të siguron kapitalin (30 për qind të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare, duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.

    Termocentrali “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa sipas marrëveshjes Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20 vjeçare dhe pa asnjë kosto.

    Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur 40 vjet./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!