×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykata Themelore

    Prokurori thotë se viktimat e krimeve mizore kërkojnë drejtësi, mbrojtja pretendon se Joliqi s’ka qenë i përfshirë në krim

    Reporteri
    20 Maj 2025 | 14:12

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Istog, Çaslav Joliq. Prokurori special, Ilir Morina tha se viktimat e krimeve mizore kërkojnë drejtësi, kurse mbrojtja tha se s’ka prova që provojnë fajësinë e Joliqit.

    Fillimisht, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim prokurori special, Ilir Morina, i cili deklaroi se sot përfundon një proces i gjatë jo vetëm për të pandehurin, por më shumë për të dëmtuarit që për më shumë se 20 vite po presin për drejtësi.

    Morina tha se tani është koha të vihet drejtësinë në vend për viktimat e këtij krimi mizor, raporton “Betimi për Drejtësi”

    Prokurori Morina tha se provat e administruara gjatë këtij gjykimi janë të qarta dhe të pakontestushme dhe se ato tregojnë qartë se i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

    Lidhur me provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, prokurori Morina kërkoi nga trupi gjykues që të ketë parasysh peshën e provave që kanë përpara dhe të marrë një vendim që pasqyron kërkesat e drejtësisë. Tha se viktimat e këtyre krimeve mizore kërkojnë drejtësi.

    “Viktimat e këtyre krimeve mizore kërkojnë drejtësi”, tha prokurori.

    Në fund, prokurori Morina kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

    Po ashtu, kërkoi që ndaj të akuzuarit të vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

    Fjalën përfundimtare të dorëzuar me shkrim e ka elaboruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Joliq, avokati Miodrag Bërkljaq.

    Avokati deklaroi se aktakuza e prezantur nga prokurori pretendon se klienti i tij gjatë marsit dhe majit 1998 ka bashkëvepruar me disa persona tjerë në rrahje të tre civilëve të dëmtuar të nacionalitetit shqiptar dhe e ka kualifikuar si krim lufte.

    Lidhur me provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, avokati Bërkljaq tha se nuk vërtetojnë që klienti i tij ka qenë polic apo i uniformuar.

    “Unë pretendoj shumë fuqishëm në bazë të të gjitha provave që janë administruar gjatë kësaj procedure, që klienti im nuk ka qenë as polic i rregullt, as me uniformë. Nuk ka qenë me uniformë dhe nuk ka qenë i përfshirë në këtë krim të ndodhur”, tha avokati Bërkljaq.

    Ai kërkoi nga trupi gjykues që të mbrojturin e tij ta lirojë nga aktakuza sepse sipas tij nuk ka prova që dëshmojnë fajsinë e tij.

    Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni e shpalli të mbyllur shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoj për një datë tjetër.

    Ndryshe, më 10 qershor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar të pandehurin Joliq, me 8 vite burgim për krime lufte në qytetin e Istogut. Por, Gjykata e Apelit më 4 nëntor 2024, rastin ndaj tij e ka kthyer në rigjykim.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!