×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria jep detaje për gruan që u gjet e vdekur në Prishtinë

    Reporteri
    04 Janar 2023 | 15:27

    Sot në Prishtinë, një grua është është gjetur me lëndime, e shtrirë në tokë, ndërsa me të mbërritur ekipa mjekësore në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

    Njësitë relevante tanimë ndodhen në vendin e ngjarjes për të zhvilluar hetimet e mëtejme lidhur me këtë rast.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila tha se sipas informatave të para, rasti ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta.

    Tutje ajo shtoi se pas ekzaminimeve, trupi i pajetë do të dërgohet në IML për obduksion.

    “Ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndodhet në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Është gjetur një trup pa shenja jete (femër). Sipas infomatave fillestare nga vendi i ngjarjes rasti ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta, mirëpo Prokuroria në koordinim me të gjitha institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore per t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti. Pas ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes, trupi i pajetë do të dërgohet në IML për obduksion”, tha Ulaj për Gazetën Online Reporteri.net.

    Për këtë rast ka folur edhe Shefi i Urgjencës, Avdyl Pacolli i cili ka thënë se viktima është gjetur pa shenja jete në hollin e banesës në katin e dytë.

    Ai ka dhënë detaje të tjera edhe lidhur me gjendjen në të cilën është gjetur viktima.

    “Në momentin kur ekipa ka shkuar e ka gjetur atë pa shenja jete. E ka gjetur në holl të banesës. Në holl të katit të dytë, të banesës. Ekipa mjekësore me të konstatuar vdekjen e ka thirrë shërbimin policor. Gjakderdhje ka pasur, por që plumb diçka nuk më thanë ekipa. Protezat jashtë gojës, po masa gjaku po”, ka thënë Pacolli për Dukagjinin.

    Në anën tjetër, zëdhënësja Flora Ahmeti për rajonin e Prishtinës, tha për Gazetën Online Reporteri.net se policia ka pranuar informatën rreth orës 13:00.

    “Reth orës 13:00, kemi pranuar informatën për një person të lënduar, të shtrirë në afërsi të një objekti në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë. Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit (femër). Aktualisht policia po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!