Pronat e sekuestruara të Millan Radoiçiqit do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës (MPB), përkatësisht Policisë së Kosovës.
Kështu u mor vendim sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës me ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se plotësim-ndryshimi i udhëzimit në fjalë eliminon procedurat e tejzgjatura të kalimit në menaxhim dhe shfrytëzim të pasurive të luajtshme dhe po ashtu të paluajtshme kur këtë pasuri e kërkon institucioni publik, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Plotësim ndryshimi i udhëzimit në fjalë ka një një rëndësi esenciale për faktin se eliminon procedurat e tejzgjatura të kalimit në menaxhim dhe shfrytëzim të pasurive të luajtshme dhe po ashtu të paluajtshme kur këtë pasuri e kërkon institucioni publik. Ky ndryshim është bërë edhe për faktin që disa prona që ndodhen në fazën e sekuestrimit e që gjinden në pikat e një rëndësie të veçantë strategjike të kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim të institucioneve të sigurisë, me synim të vetëm, pra rritjen e sigurisë shtetërore, territoriale dhe të rendit publik në atë pjesë të vendit. Bëhet fjalë në këtë rast për pronat e kryeterroristit Milan Radoçiqi, pra këto prona që kanë qenë të tij, tashmë janë në menaxhim të MD-së dhe tani sipas diskutimeve që kemi pasë planifikojmë që këto prona t’i japim për MPB, përkatësisht për Policinë e Kosovës për shfrytëzim”, tha Haxhiu në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Rreth 3.5 milionë euro është vlera e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar e kryeterroristit Milan Radoiçiq, sipas vlerësimeve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. Nga kjo shifër, mbi 3 milionë e 100 mijë euro janë pasuri të paluajtshme.
Prona më e vlefshme e Radoiçiqit vlerësohet të jetë vila e ndërtuar buzë Liqenit të Ujmanit, e cila u zbulua për publikun pas bastisjeve që u kryen lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, për të cilin ai ka marrë përgjegjësinë.
Vlera e kësaj vile është 1 mijë e 907 mijë e 493 euro. Më pas, për nga vlera renditen penthouse që vlerësohet se ka vlerë 644 mijë e 400 euro dhe restoranti në vlerë 400 mijë euro. Banesa e tij është vlerësuar se ka vlerë 69 mijë e 220 euro, derisa zyra e tij 82 mijë e 65 euro. /Reporteri.net/