Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka folur për protestën e nesërme e cila do të mbahet si shkak i mos-shtyerjes së vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, vendim ky që hyn në fuqi pas tri ditësh.
Rafuna tha se i kanë dhënë mundësi dialogut por edhe institucioneve të vendit, ZRRE-së por edhe ekzekutivit në detyrë që t’ua japin një fazë të tranzicionit.
Ai u shpreh se kërkesën për fazën e tranzicionit ia bënë edhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, të cilin e takuan sot, por nga i cili tha se nuk morën shumë shpresë se vendimi do të shtyhet.
“Janë 143 mijë punëtorë të punësuar në këto 1 mijë e 300 biznese. Tani të shohim, nesër do të jetë vetëm hapi i parë, ku është vetëm për ta sjellur në vëmendje që biznesi nuk është i kënaqur me situatën dhe kërkesë të vetme e kemi që të na jepet një fazë e tranzicionit që së bashku ta menaxhojmë dhe ta caktojmë datën apo muajin se kur do të dalim në tregun e lirë”.
“Nëse s’ka reagim, nga ana e bizneseve ka kërkesa që të shkohet duke u shtuar apo duke u radikalizuar protesta. Biznesi nuk pajtohet që më 1 qershor të detyrohet që të shkojë në tregun e hapur. Përgatitjet nuk janë bërë, nuk është përgatitur tregu”, tha Rafuna në Klan Kosova.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.