Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas protestës së qytetarëve të Luginës, të cilët janë mbledhur sot në sheshin e Bujanocit kundër politikave shtypëse të Beogradit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Bislimi ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cenon të drejtat e tyre themelore.
Sipas tij, kërkesat e tyre për “respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore” janë plotësisht legjitime dhe të drejta.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë.
Zgjidhja e këtyre çështjeve është dëshmi edhe për përkushtimin ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e cila mungon nga fqinji ynë verior, që në vazhdimësi shkel të drejtat e komunitetit shqiptar”, shkroi Bislimi.
Ndryshe, shqiptarët e Luginës kanë nisur protestën e sotme me intonimin e himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje për të gjithë dëshmorët dhe veprimtarët e çështjes kombëtare.
“Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”, janë disa nga pankartat që protestuesit kanë mbajtur në duar.
Protestuesve u është drejtuar edhe deputeti Shaip Kamberi i cili ka thënë se diskriminimi si dukuri është i ndaluar për shoqëritë demokratike, siç ka thënë ai, sidomos për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.