Partia Socialdemokrate e ka dënuar sulmin e armatosur ndaj veturës së gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi.
PSD ka vlerësuar se sulmi ndaj Shkumbin Kajtazit duhet të hetohet menjëherë.
“Në momentin e parë që cenohet gazetari/ja, pavarësisht rasteve konkrete, liria e fjalës duhet të bëhet çështje. Kjo e drejtë nuk është një e dhënë e fituar një herë e përgjithmonë. Rrethanat politike dhe dinamikat shoqërore janë ato që e formësojnë hapësirën ku fjala e lirë vepron. Madje, karakteri politik i rendit shoqëror ka ndër matësit relevant fjalën e lirë”, ka thënë ai.
PSD vlerëson se mediat duhet të jenë pjesë e betejës për fjalën e lirë dhe mendimin kritik.
“Pushteti që ato bartin nuk guxon të përdoret vetëm në transmetimin e narrativave dominante e populiste për hirë të një shikueshmërie më të madhe. Nga komercializimi i medias duhet të insistohet në demokratizim të saj. Rendi ligjor nuk mjafton në adresimin e problemeve të tilla. Kjo çështje është politike dhe betejë për një shoqëri të lirë. Sulmi ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi duhet të hetohet me prioritet. Ky rast duhet të na shqetësojë të gjithëve. Përsëritja e tij do të ishte fatale dhe me përgjegjësi institucionale”, thuhet në reagimin e PSD-së.
https://www.facebook.com/1995111220749677/posts/2668419716752154/
Kujtojmë se Vetura e gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi, u bë cak i një sulmi me armë zjarri.
Gjuajtja me armë zjarri drejt veturës së Kajtazit ndodhi mbrëmë rreth mesnatës në një rrugë në qendër të qytetit të Mitrovicës, shkruan Reporteri.net.
Vetura është gjuajtur me shumë plumba, por shenja të dukshme janë 5 apo 6.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës, ku u gjetën disa predha të plumbit, të cilat kishin hyrë brenda veturës.
Një plumb është gjetur tek ulësja e shoferit, ndërkaq dy të tjerë në pjesën mbrapa. Po ashtu dy plumba të tjerë kanë goditur pjesë të jashtme të veturës.
Siç shihet nga fotografitë, vetura ka disa vrima nga plumbi: xhami është thyer, tavani dhe pjesa mbrapa janë shpuar.
Gazetari Kajtazi ka thënë se në momentin kur ndodhi ky sulm, ndodhej në një kafene të Mitrovicës.
Kajtazi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se zbardhja e rastit duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.
“Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.”, ka shkruar ai në Facebook.
Ky është sulmi i dytë ndaj tij, pasi që muaj më parë dikush tentoi që t’ia digjte veturën e njëjtë.
Postimi i plotë i Kajtazit:
Miq,
Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.
Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.
Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.
Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.
Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.
Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij. /Reporteri.net