×
  • Lajme
  • Lajme

    PSD fshin parullën ‘Jezusi urren serbët’, Hyseni: Institucionet shtetërore duhet të marrin përgjegjësi pas liturgjisë që u mbajt dje

    Reporteri
    11 Qershor 2021 | 10:45

    Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, ka thënë se bashkë me aktivistë të kësaj partie kanë fshirë mbishkrimin në gjuhën angleze në derën e kishës në oborrin e Universitetit të Prishtinës, ku shkruante se ‘Jezusi urren serbët’.


    Në një deklaratë dhënë për medie, Hyseni ka bërë të ditur arsyen se përse e bënë një gjë të tillë, shkruan Reporteri.net.

    “Na e kemi fshi atë parullë edhe dojmë me dërgu një mesazh tjetër. Aksioni jonë protesutes nuk ka të bëjë fare me urrejtje fetare apo ndëretnike.”, është shprehur ai.

    Sipas Hysenit, ky objekt është simbol i shovenizmit i cili përkujton ditët me të rënda dhe më të vështira që ka përjetuar populli shqiptar, për të cilin thotë se serbët po tentojnë ta shndërrojnë në faltore, madje sipas tij, para hundëve të institucioneve të shtetit të Republikës së Kosovës.

    Për liturgjinë e mbajtur dje në këtë objekt, Hyseni kërkon përgjegjësi nga organet kompentente.

    “Nuk e kemi ditur, tha ministri i Kulturës. Nëse është kështu, atëherë ky është një dështim i madh. Ministri i Brendshëm duhet të jap dorëheqje, AKI duhet të përgjigjet gjithashtu. Kosova qenka krejt e pasigurtë nën udhëheqjen e tyre. ”, deklaroi ai para medieve.

    Aktivistët e PSD-së kanë shkruar “Simoboli i shovinizmit bëhet faltore. Bekoi: Albin Kurit”, në derën e kishës.

    Ky aksion i partisë së Dardan Molliqajt vjen një ditë pas liturgjisë që është mbajtur në Kishën që ndodhet në oborr të Universitetit të Prishtinës.

    Ndryshe, serbët dje u rikthyen në kishën e papërfunduar, për herë të parë pas vitit 1998, për të mbajtur një liturgji fetare.

    Siç njoftoi Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, liturgjia u mbajt nga Peshkopi Teodosije.

    Ky veprim i Kishës Ortodokse Serbe ngjalli reagime të shumta në Kosovë, e madje u konsiderua provokim.

    Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e kampusit universitar nga të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, ku përfshihet edhe objekti në të cilin është organizuar ceremonia në fjalë. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!